Futbollisti francez u ka thënë drejtuesve në Parc des Princes se dëshiron të largohet nga skuadra në fund të sezonit, kur i skadon kontrata. Nuk është sekret që Real Madrid ka vite që ndjek Kylian Mbappe, me të cilin është objektivi kryesor i Florentino Perez.

Madje, në vitin 2022, Reali ishte pranë përfundimit të transfertës, por Mbappe zgjodhi të nënshkruante vazhdimin e kontratës, duke tronditur të gjithë. Këtë vit lëvizja duket e pashmangshme.

Në konferencën e tij për shtyp përpara ndeshjes së së dielës me Rayo Vallecanon, Carlo Ancelotti u pyet vazhdimisht për temën e Kylian Mbappe.

“E shoh, e kuptoj që është tema juaj aktuale, por nuk është e jona. Ne duhet ta mbyllim mirë sezonin. Ne kemi foluar për ndeshjen, e dimë se është një lojë jetike për këtë sezon. Bota mund të flasë, e kuptoj, por unë do të doja ta mbyllja mirë sezonin, të fitoja trofe. Ka shumë kohë për të menduar për sezonin e ardhshëm”,- tha Carlo Ancelotti, cituar nga “Marca.com”.

I pyetur nëse kishte frikë se pyetjet rreth Mbappes mund të ndikojnë në dhomën e zhveshjes, Carlo Ancelotti nuk hezitoi: “A më shihni të ndikuar tani? Jo jo. Konferencat për shtyp do të jenë të tilla”.