Aksioni për pastrimin e zhvendosjen e pikave që grumbullojnë mjete të përdorura po vijon edhe në aksin nga Elbasani në Qafë Thanë. Ministri i Brendshëm Taulant Balla ndoqi nga afër këtë aksion, së bashku me drejtuesin vendor të IKMT-së dhe Policisë së Elbasanit. Ata u ndalën në biznesin e një qytetari, që ushtron këtë aktivitetin në anë të rrugës Elbasan-Librazhd. “Ligji nuk lejon vendgrumbullimin e mjeteve të përdorura, pjesë këmbimi apo mjete jashtë përdorimit, kështu që në këtë aspekt duhet marrë masa“, deklaroi Balla.

Drejtori rajonal i IKMT-së, Elbasan u shpreh se po monitorohen të gjitha akset rrugore të rëndësishme në kuadër të masave për sezonin turistik.
“Jemi në monitorim të gjithë akseve rrugore të rëndësishme, në kuadër të masave për sezonin turistik që po afron, po largojmë mjetet e përdorura e të demoluara për skrap. Po ecim me ritme të kënaqshme, pasi dhe vetë bizneset e kanë bashkëpunimin dhe jemi mirëkuptuar me ta. Mjetet do largohen në kohë nga akset kombëtare“, u shpreh drejtori rajonal i IKMT-së, Elbasan.Faza e parë e gjithë procesit është evidentimi e njoftimi i pronarëve të pikave dhe spostimi i mjeteve nga vetë subjektet. Urdhër-inspektimet po vijojnë në gjithë aksin Elbasan – Qafë Thanë, me lokalizimin e njoftimin e çdo subjekti, për të pastruar çdo mbetje të dukshme që qëndrojnë në aksin kryesor e dytësor duke dëmtuar imazhin e tyre.