Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, ftoi sot ata deputetë që besojnë se detyra ndaj qytetarëve shqiptarë është më e rëndësishme se roli i tyre në teatrin revolucionar, ta votojnë të enjten në seancë plenare projektligjin për “Amnistinë penale”.
Përmes një videomesazhi, Spiropali solli në vëmendje se në 6 dhjetor të vitit që lamë pas qeveria shqiptare miratoi projektligjin “Për amnistinë penale”.
“Fatkeqësisht, për opozitën e bëra grimca, grimca në ballkonin e izolimit është më rëndësishme se e tërë puna që duhet të bëjnë si të zgjedhurit e sovranit.”, shprehet Spiropali.
Ministrja gjithashtu theksoi se ky projektligj është hartuar në funksion të arritjes së qëllimit të dënimit të bazuar në të drejtën e trajtimit njerëzor dhe të respektimit të dinjitetit të njeriut; arritjes së riintegrimit dhe rehabilitimit social; ndryshimeve pozitive në jetën e të dënuarve, si dhe trajtimin e tyre sipas standardeve europiane në sistemin penitenciar.
Fjala e plotë:
Në 6 dhjetor te vitit që lamë pas, qeveria shqiptare miratoi projektligjin për amnistinë penale. Më datë 7 dhjetor, projektligji u depozitua ne Kuvend.
Bëhet fjalë për disa qindra qytetarë shqiptarë dhe më tej akoma, për disa mijëra familje që jetojnë me dramën e atyre brenda, të cilët do të fitonin para kohe lirinë.
Projektligji ende nuk është votuar. Ka pasur disa seanca të “flakta” parlamentare, ku në secilën prej tyre, të paktën 84 deputetë do të duhej të ngrinin kartonin dhe të votonin pro, në mënyrë që këto gra dhe këta burra t’i kalonin festat pranë familjeve të tyre sic ndodh në çdo vend të qytetëruar të botës, ku amnistitë bëhen rëndom për qëllime humane & sociale.
Ky projektligj është hartuar në funksion të arritjes së qëllimit të dënimit, bazuar në të drejtën e trajtimit njerëzor dhe të respektimit të dinjitetit të njeriut, arritjes së riintegrimit dhe të rehabilitimit social, ndyshimeve pozitive në jetën e të dënuarve, si dhe trajtimin e tyre sipas standardeve evropiane në sistemin penitenciar.
Rehabilitimi dhe jo harresa, është synim i një shoqërie moderne për individin që ka gabuar. Që nuk flak, por riafron. Që nuk vret, por shëron. Që nuk ngre mure, por rihap dyer mundësish”
Projektligji përjashton nga fusha e tij e zbatimit kategoritë e veprave penale që parashikojnë rrezikshmëri të lartë ose të theksuar shoqërore.
Si qeveri dhe shumice parlamentare jemi shprehur parimisht dakord që në projektligjin për aminsitinë të përfshihen edhe propozimet e opozitës, lidhur kjo me zgjerimin e personave përfitues.
Ndërkohë, kolegët opozitarë vijojnë avazin e vjetër duke kembengulur se nje gjë e tillë nuk do të ndodhë deri në momentin që Parlamenti t’i rikthehet normalitetit, ose duke vënë kushte pas kushtesh. Ky në fakt është një autorefleksion për mungesën e normalitetit brenda tyre, si pasojë e së cilës vendosin kushte absurde me ngutje marramendëse, për një detyrë që duhet ta bënim symbullur.
Për hir të urrejtjes ndaj qeverisë, Edi Ramës dhe fobisë së tradhëtisë, askush nga opozita nuk pati kurajon deri më tani të bëjë një hap të vetëm të vogël, për të bërë një punë të madhe. Izolimi dhe ndëshkimi nuk është qëllim në vetvete i politikës penale. Hedhja e çelësave në det për një kategori qytetarësh që në një moment të caktuar kanë pasur problem me ligjin nuk është çelësi që e bën shoqërinë më të sigurt, më të shëndetshme, më të drejtë.
Fatkeqësisht, për opozitën e bëra grimca, grimca në ballkonin e izolimit është më rëndësishme se e tërë puna që duhet të bëjnë si të zgjedhurit e sovranit.
Të enjten ne seance plenare ftojmë të gjithë ata që besojnë se detyra ndaj qytetarëve shqiptarë është më e rëndësishme se roli i tyre në teatrin revolucionar, ta votojnë projektligjin për amnistinë penale.