Ka nisur transferimi të burgosurve shqiptarë nga burgjet angleze për të vijuar vuajtjen e dënimit në ato shqiptare.
Top Channel ka mësuar se i transferuari i parë, është i një shqiptari i dënuar nga një gjykatë e Londrës, për trafik kokaine në vitin 2017 me 17 vite burg. Ai prej disa javësh, po vuan vitet e mbetura në një burg të sigurisë së lartë në Jug-Lindje të Shqipërisë.
Për llogari të një prej tre familjeve kriminale në Elbasan, ai drejtonte në Londër një organizatë kriminale e përshirë në trafik kokaine me vlerë 150 milion stërlina. Aktualisht në burgjet angleze vuajnë dënime të ndryshme mbi 1500 shqiptarë mes tyre 17 dënuar për vrasje me burgime të përjetshme.
Marrëveshja e transferimit të burgosurve Angli Shqipëri firmosur në Londër nga ministri Ulsi Manja dhe homologu britanik Alex Chalk, parashikon se të burgosurit shqiptarë në shtetin ishull, vullnetarisht mund të aplikojnë për transferim.
Deri më tani kanë aplikuar me dëshirën e tyre për tu transferuar 80 të burgosur shqiptarë të cilët vuajnë dënime mbi katër vjet.
Një tjetër klauzolë në marrëveshje, i jep të drejtë Ministrisë së Drejtësisë angleze të transferojë drejt Shqipërisë edhe pa pëlqim të burgosur, të cilët kërkon ti largojë nga burgjet angleze në ato shqiptare.
Rasti i parë i këtij lloji është ai i shqiptarit NERITAN KOLLUDRA i dënuar në 7 Dhjetor 2019 me 14,4 vite burg si i përfshirë në një konspiracion për shitje kokaine, si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal në qytetin Peterborough.
Në vendimin e gjykatës së apelit të emigracionit në Londër të cilin e disponon Top Channel, thuhet se sekretari i shtetit në 7 Qershor 2021 ka vendosur dëbimin e tij në Shqipëri me argumentin se ai përbën kërcënim për interesat e sigurisë në Britanisë së Madhe.
“Dëbimi juaj në këtë moment është marrë në konsideratë nga Drejtoria e Burgjeve dhe Shërbimit të Provës, pasi jeni identifikuar si një person i përshtatshëm, ndaj të cilit mund të zbatohet transferimi në Shqipëri për të vuajtur, pjesës së mbetur të dënimit”.
NERITAN KOLLUDRA e apeloi vendimin e transferimit në një burg shqiptarë, me argumentin se kjo do ta ndante atë nga bashkëshortja dhe fëmijët, vizitorë të përmuajshëm në burgun anglez ku ai mbahet.
Por gjykatësi Mark Blundell nuk e pranoi apelimin e Neritan Kollundrës duke i hapur rrugë transferimit në një burg shqiptarë.