Gjiganti amerikan i teknologjisë Apple braktisi planet për të prodhuar makinën e tij elektrike pasi mbylli Grupin e Projekteve Speciale që punonte për këtë detyrë, raporton Bloomberg.

Ky lajm sinjalizon fundin e përpjekjeve të Apple për të ndërtuar një makinë që mund të konkurrojë me Tesla-n.

Mijëra njerëz punuan në projektin e përmendur, i cili u zhvillua kryesisht në fshehtësi, por ai kurrë nuk u fut në biznesin kryesor të Apple, raporton CNBC.

Apple dhe CEO i saj Tim Cook kurrë nuk e kanë pranuar publikisht se po punojnë në zhvillimin e makinave elektrike, përkundrazi kanë deklaruar se janë duke punuar në “sisteme autonome”.

Thashethemet për ambiciet e Apple për të prodhuar makina elektrike u shfaqën në vitin 2014 pasi firma rekrutoi inxhinierë automobilistikë dhe talente të tjera nga kompanitë e automobilave.