Zv.Kryeministrja Belinda Balluku është shfaqur sot për herë të parë në rrjetin social Tik Tok me nje video të shkurtër ku përsërit dy herë nisjen e një deklarate mediatike. Duket se Balluku ka vendosur të tregojë përmes autoironisë anën humane të politikës, të parë në këndvështrimin e asaj çka ndodh pas kamerave, në prapaskenë.
Videoja është bërë në një aktivitet ndërkombëtar jashtë vendit të Zv.Kryeministres, ndoshta një ministerial për çështjet e energjisë. Balluku në nisje të një deklaratë për mediat përsërit dy herë fillimin e saj duke e shoqëruar edhe me gjestikulacion dhe duke krijuar një situatë qëllimisht komike.
Të mësuar me paraqitjen thuajse perfekte në daljet publike të Zv.Kryeministres si në pamje ashtu edhe në elokuencë, në fakt videoja na tregon anën tjetër, të medaljes, atë njerëzore të Ballukut, ku si çdo person tjetër mund të përsërisë nisjen një deklaratë, apo edhe të ketë ndonjë lapsus në mes të një fjalimi. Mesa duket Tik Tok është zgjedhur prej saj si një rrjet social pak më i çliruar nga serioziteti, për të treguar anën njerëzore dhe pse jo për të bërë edhe pak humor me veten.
Pak ditë më parë gjatë vizitës në Mynih të Gjermanisë Kryeministri Rama ka zhvilluar një takim në zyrat e Tik Tok me zv. Drejtorin e Përgjithshëm të kompanisë Theo Bertram, ku ka diskutuar për nevojën për të rritur vigjilencën kundër dhunës, shantazheve e gjuhës së urrejtjes online. Sipas Ramës Tik Tok po merr masa për të rritur nivelin e moderimit të mesazheve në gjuhën shqipe.