Bashkimi Europian ka dalë me një deklaratë të përbashkët ku kërkon hetime lidhur me vdekjen në burg të liderit të opozitës ruse, Alexei Navalny i cili njihej edhe si kundërshtari kryesor politik i Vladimir Putin. Gjatë një takimi të 27 ministrave të Jashtëm të BE-së, u diskutua për një paketë tjetër sanksionesh, në prag të 2 vjetorit të nisjes së pushtimit rus në Ukrainë.

Pavarësisht se autoritetet e burgut rus në Siberi thanë se Navanly pësoi sindromën e ‘vdekjes së papritur’, ministrat e jashtëm të BE-së propozuan që zyrtarët rusë të burgjeve që janë të përfshirë në vdekjen e liderit të opozitës ruse, të përfshihen në listën e personave që u ndalohet udhëtimi dhe u bllokohen asetet.

Ndërkaq, u kërkua hetim ndërkombëtar i pavarur për vdekjen e Alexei Navanly duke deklaruar se autoritetet ruse dhe udhëheqja politike e Rusisë do të mbajë përgjegjësi për ngjarjen. Ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock tha se shpresonte që Bashkimi Europian të binte dakord për paketën e sanksioneve që mund të miratohet të mërkurën. Gjithashtu u bë thirrje që Vladimir Putin të lirojë qindra të arrestuar nga protestat në Moskë për vdekjen e Navanly.