Në lidhje me një shkrim të postuar në rrjete sociale, nëpërmjet të cilit akuzohet shefi i Komisariatit të Policisë Kurbin, për ndihmesë të autorëve të ngjarjes së ndodhur mëngjesin e sotëm, sqarojmë opinionin publik se akuzat janë tërësisht të pavërteta.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin nuk kanë hequr asnjë kamera nga biznesi i shtetasit Ardjan Gjeloshi dhe nuk kanë ushtruar asnjë kontroll në ambientet e këtij biznesi.

Mëngjesin e sotëm grupi i posaçëm hetimor ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale, pamjet filmike të regjistrura nga kamerat e biznesit të këtij shtetasi dhe vijon të sekuestrojë çdo pamje filmike në itinerarin që dyshohet se mund të kenë lëvizur autorët, pamje të cilat do t’i shërbejnë grupit të posaçëm hetimor për zbardhjen dhe dokumentimin e ngjarjes.

Grupi i posaçëm hetimor ka kryer të gjitha veprimet procedurale konform procedurave ligjore dhe në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, vijon veprimet intensive për zbardhjen e ngjarjes, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë shpreh keqardhje për këto aludime dhe akuza, që kanë për qëllim denigrimin e drejtuesve të Policisë së Kurbinit, të cilët karakterizohen nga integritet i lartë moral dhe profesional. Ftojmë mediat dhe qytetarët që të denoncojnë çdo rast të abuzimit me detyrën të punonjësve të Policisë dhe të çdo paligjshmërie që konstatojnë, duke ju garantuar reagim të shpejtë dhe profesional.