Nga Mero Baze
Debati për bashkimin e opozitës mes grupeve opozitare ka humbur seriozitetin dhe tani është kthyer në një fushatë batutash dhe ironie mes palëve.
I pari në fakt u tall Flamur Noka. Ndërsa bëri fakt të kryer plotësimin e koordinatorëve të partisë, pa pritur negociatat me Gazment Bardhin, tha se do priste Gazment Bardhin të kthehej nga SHBA dhe pastaj do “bashkoheshin”.
Ishte një përgjigje e hidhur për ikjen e tij në SHBA dhe qëndrimin pro SPAK dhe pro SHBA.
Sot me sa duket ja ktheu reston Salianji. Edhe ai foli me “optimizëm” për bashkimin, por duhet të respektohen dy kritere, të kenë marrëdhënie të mira me SHBA dhe të mbështesin punën e SPAK.
Tani nëse vazhdon kjo tallja kështu, që të gjithë janë gati të bashkohen, por me kushte diametralisht të kundërt, grupet opozitare thjesht humbasin kohë dhe shpresë për vitin 2025.
Gjëja e parë që ata duhet të bëjnë, dhe kur them ata kam parasysh grupet që janë jashtë PD zyrtare të Lulzim Bashës, është që duhet të krijojnë një parti, të kenë një logo dhe një emër.
Berisha nuk e bën këtë, jo se i duhet logoja e PD së Lulit. Madje e bën pikërisht se nuk i duhet logoja e Lulit, por do të duket viktimë dhe të mbajë peng Ilir Metën në koalicion me të.
Praktikisht Sali Berisha nuk do të krijojë parti të re, jo se i ka sytë tek PD e Lulzim Bashës. Ai nuk do të krijojë parti të re pikërisht se është i bindur që nuk e merr logon e PD. Kështu ai duke u hequr si viktimë dhe duke u futur në zgjedhje nën strehën e Ilir Metës, edhe atë e mban peng, edhe grupet e tjera opozitare i poshtëron, duke i detyruar ose të futen nën kupolën e një parti anti- SPAK dhe anti- SHBA, ose të mbeten në rrugë.
Ndaj nuk ka asnjë shans, që një grup deputetesh, të cilët nga inati i Bashës shkuan tek Berisha, t’i diktojnë tani Berishës kushtet e bashkimit. Ata ose do të hyjnë në një parti anti-Amerikane dhe anti- SPAK, ose duhet të krijojnë partinë e tyre dhe të ftojnë njerëzit e Berishës që janë kundër Bashës, të shkojnë me ta.
Kaq është i gjithë shansi i tyre. Ky është identiteti politik që kanë zgjedhur, të jenë dhe anti- Bashë, dhe anti- Berishë, dhe pro SHBA e SPAK.
Kjo tallja që njëra palë thotë do bashkohemi tek rrugica kundër SHBA dhe SPAK dhe pala tjetër që thotë do bashkohemi tek SHQUP, pro SHBA dhe SPAK, është shaka e hidhur, e cila në kushtet dramatike ku gjendet opozita, është cinizëm i tepruar për ata opozitarë që ndjehen rrugëve.
Berisha dhe Meta janë parti origjinale në skenën politike të Shqipërisë në këto kohë, pasi ata kanë marrë pozicion të qartë politik kundër Perëndimit dhe kundër drejtësisë së re. Mirë apo keq, ata e kanë një identitet.
Të tjerët që duan votat e Berishës dhe kauzën anti-Berishë, duhet ta kuptojnë se nuk kanë të ardhme tek grupimi Berisha- Meta. Nëse thonë vërtet se duan “bashkim”, kanë shans të bashkohen vetëm me ata që janë pro SHBA dhe SPAK. Berishës dhe Metës nuk kanë pse u bien më qafë. Boll po “u bie” SPAK dhe SHBA, dhe këta kanë mangët.