Biznesi shqiptar i bimëve mjekësore, do të marrë pjesë në panairin “BIOFACH 2024”, në Gjermani. Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denja, shkroi në rrjete sociale se,
“kompania BIOBES në Sopëz, Lushnjë, do të jetë pjesë e stendës shqiptare në këtë panair”.
BIOBES, ka më shumë se 10 vite që zhvillon aktivitetin e grumbullimit, përpunimit dhe paketimit të bimëve aromatike dhe medicinale. Angazhon rreth 450 familje fermerësh për të mbledhur bimët si dëllenja, sherebela, kalendula etj., të cilat kanë kërkese të lartë në tregjet e Evropës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Azisë lindore, ku kompania eksporton rreth 1000 tonë në vit.
Prodhimi organik është në fokusin e tyre dhe të gjithë bimët që tregtojnë janë të certifikuara sipas Standardit Organik Evropian.
“Ne jemi të angazhuar për promovimin e produkteve lokale në tregjet e eksportit, për të hapur tregje të reja dhe për të sjellë vlerë më të lartë për fermerët dhe përpunuesit”, tha Denaj.