Analisti Skënder Minxhozi thotë se vizita e Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken në Tiranë javën e ardhshme, është një vizitë e rëndësishme për vendin tonë. Në një intervistë për “Newsline” në ABC News, Minxhozi u shpreh se vizita e Blinken është dypalëshe, pra e dedikuar për Shqipërinë. Sipas tij, ardhja e Blinken konfirmon realitetin e ri, ku Shqipëria shihet si faktor stabiliteti në rajon.

“Është nje vizitë mjaft e rëndësishme sepse, siç doli nga njoftimi, është një vizitë dypalëshe, pra është një vizitë e dedikuar për Shqipërinë. Sekretari nuk vjen në një tur ballkanik, nuk vjen as në një event shumëpalësh që mund të ndodhë në Tiranë dhe ku merr pjesë në kuadrin e shumë delegacioneve të tjera. Ai vjen thjesht për të takuar kundërpalën shqiptare, për të takuar ata që sipas njoftimit, janë një aleat kyç për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor, por edhe luftën në Ukrainë dhe për situatën që kalon kjo pjesë e botës në këtë moment dhe ku Shqipëria e ka provuar, qoftë edhe në kuadrin e bashkëpunimit me SHBA në Këshillin e Sigurimit dhe në forume të tjera ndërkombëtare, ka pasur një raport mjaft të fortë bashkëpunues dhe të lidhur ngushtë me SHBA, si një aleat strategjik dhe shumë i rëndësishëm për shqiptarët në Ballkan, në këtë moment.

Shqiptarët afirmohen edhe në sytë e administratës amerikane si një faktor që ofron stabilitet dhe jo mungesë stabiliteti. Shihemi si një vend që ofrojmë dhe furnizojmë stabilitet për rajonin. Sot ka një realitet të ri dhe ardhja e Blinken e konfirmon këtë realitet të ri”, theksoi ai.