Ministri i Brendshëm Tulant Balla ka marrë pjesë në ceremoninë e certifikimit të kursantëve që kanë përfunduar me sukses kursin e 18-të për “Patrullë e Përgjithshme”, ceremoninë e fillimit të studimeve të kursantëve të rinj në Kolegjin Profesional të Formimit Policor dhe të fillimit të kursit për “Specialist për Hetimin e Krimeve”, për studentët që kanë mbaruar ciklin e dytë të studimeve të arsimit të lartë. Ai u shpreh se detyra e policimit është një përgjegjësi e lartë, ndërsa uniforma nuk përfaqëson vetëm policinë, por është simbol i shtetit dhe qytetarëve tek efektivët.
Fjala e plotë e ministrit të Brendshëm Taulant Balla:
E sotmja është një ditë e rëndësishme në përballjen tonë me sfidën e madhe për ta rinuar policinë e shtetit, por edhe një kapitull i ri në përpjekjet e Akademisë së Sigurisë për të shërbyer si gjenerator i vërtetë energjie për gjithë strukturën e Policisë së Shtetit. E sotmja është një ditë e rëndësishme edhe për prindërit tuaj, të cilët kanë arsye të ndihen krenarë për shkollimin dhe profesionin e zgjedhur nga fëmijët e tyre.
Synimi ynë është ta vendosim Policinë e Shtetit në krye të institucioneve më të besueshme nga publiku! Sondazhet e fundit na indikojnë një mbështetje prej 70% të qytetarëve për Policinë dhe operacionet e mëdha kombëtare të nisura muajt e fundit ‘Tempulli’ e ‘Sundimi i Ligjit’, ku synimi është rritja e sigurisë në shkolla, goditja e shpërndarësve të narkotikëve, armëmbajtjes pa leje e paligjshmërisë kudo gjendet.
Policimi është një profesion fisnik që kërkon integritet, guxim dhe ndjenjë të thellë të detyrës. Nëse brenda vetes i keni këto cilësi, vijoni me kurajë përpjekjen për t’u bërë punonjës të devotshëm të policisë. Kemi nisur një proces të thellë të vetë-pastrimit të policisë, për të pasur si në drejtim edhe në rolin bazë, jo vetëm më profesionistët, por edhe ata me më integritet. E vërteta është që përballë sfidave gjithnjë në zhvillim, roli i zbatuesve të ligjit bëhet gjithnjë e më kompleks. Nga kërcënimet kibernetike, lufta kundër narkotikëve, krimit të organizuar forca jonë policore duhet të përshtatet dhe të jetë inovatore për të mbrojtur e po aq, për t’i shërbyer publikut.
Reformimi dhe vetë-pastrimi i brendshëm, investimet në teknologji e infrastrukturë, angazhimi i Qeverisë për të mbështetur rritjen e pagave në mënyrë të ndjeshme këtë vit, janë hapa të rëndësishëm në synimin tonë për të patur një shërbim policor të duhur, për Shqipërinë kampion e Ballkanit në turizëm dhe jo vetëm në turizëm.
Paralelisht, do të vijojmë me zbatimin e programit për strehim për familjet e reja të policëve. Të dashur anëtarë të rinj të organizatës së Policisë së Shtetit!