Janë bërë publike pamjet e ngjarjes me dy viktima të ndodhur mbrëmjen e djeshme në Korçë.
Siç edhe raporton gazetarja e SYRI TV në Korçë, Sidorela Xhomaqi, e cila ka siguruar dhe videon, autori i vrasjes Ilo Lluka ka vrarë me 5 plumba Emiljano Pinen dhe pas në moment ka qëlluar edhe veten, duke i dhënë fund jetës.
Pine ngeli i plagosur rëndë, dhe fatkeqësisht humbi jetën në spital. Ndërkaq Lluka, ka humbur jetën në vendin e ngjarjes.
Jashtë kamerave, fqinjët e Emiljano Pines kanë treguar se familja jetonte me qera.
Ndërkohë që babai i autorit të ngjarjes bashkëjetonte me familjen e Emiljanos prej 4 vitesh. Nëna e Emiljanos kujdesej për shkak të pamundësive të tij fizike dhe moshës. Sipas banorëve, babai i Emiljanos kishte 1 vit që kishte ndërruar jetë dhe ata e vazhdonin bashkëjetesën.
Sipas burimeve nga policia, bëhet me dije se pista kryesore e hetimeve mbetet trashëgimia e një apartamenti në pronësi të babait të autorit të ngjarjes, i cili donte t’ia linte si trashëgimi djalit të kujdestares.
Ilo Lluka ishte emigrant, jetonte në Greqi dhe pasi ka marrë vesh vendimin e të atit për shtëpinë, është kthyer nga shteti grek dhe mbrëmjen e djeshme vrau Emiljanon e më pas veten.
61-vjeçari Lluka njihet si përdorues i pijeve alkoolike, ndërsa ekspertiza mjeko ligjore ende nuk e ka konfirmuar nëse ka qenë nën efektin e alkoolit në momentin kur kreu krimin.