Deputeti i Partisë Demokratike, Ferdinant Xhaferraj foli për situatën politike brenda PD-së. Xhaferraj u ndal te ish-kryeministri Sali Berisha, ku tha se nuk mund të drejtojë më opozitën, ndërsa për kryetarin e PD-së, Lulzim Basha, tha se po ia shton minuset vetes, pasi “sjellja e tij politike është qesharake”.
“Berisha, me të cilin kemi bashkëpunuar dhe si pjesë e opozitës kam dëshirë të përmend vetëm gjerat pozitive që ai ka bërë gjatë qeverisjes së tij. Mund të jetë një element kontribuues, por s’mund të jetë në krye të opozitës. Jo për arsye se nuk e dua unë, por për arsye madhore.
Unë them çfarë duhet të jete dhe si duhet të jetë. Nëse asnjë aktorë, nisur nga Berisha nuk pranon të ri integrohet brenda lidershipit të ri, kemi futur në pikëpyetje dhe zgjedhjet e 2025. Për sa i përket Bardhit, ai ka eksperiencën dhe përvojën e duhur. Mund të gjendjen dhe emra të tjerë që kanë përvojë e duhur.
As Basha dhe as Berisha nuk mund të jenë në krye të opozitës. Kur shoh hipotekën politike të tyre, Basha po ia shton minuset vetes. Sjellja e tij është qesharake”, u shpreh demokrati në emisionin “Tirana Live” në “ABC News”.