Me kokën ulur e pranga në duar, pa nguruar të jetë i gatshëm të flasë me gazetarët. Ky është moment ku Altin Çoku futet në sallën e gjyqit në Gjykatën e Tiranës për tu njohur me masën e sigurisë, lidhur me akuzën e shkaktimit të vetëvrasjes së 28-vjeçares Sibela Abedini.
Togat e zeza vendosën masën arrest në burg ndaj 39-vjeçarit duke pranuar kështu kërkesën e prokurorisë. Altin Çoku nuk kishte marrë një avokat, teksa iu caktua nga shteti. Pranë gjykatës nuk u konstatuan as familjarë të tij.
Çoku nuk pranoi akuzën duke thënë se nuk është ai përgjegjës i veprimet ekstrem të të resë. Diçka të tillë e deklaroi edhe për gazetarët para nisjes së seancës ku përmendi një emër tjetër, teksa kërkoi falje ndaj familjes së viktimës.
Altin Çoku ishte dënuar në 2015 me 1 vit e 6 muaj por që iu konvertua në 5 vite shërbim prove. Në atë kohë akuzohej për gjobvënie, ndaj mjekut psikiatër në Kurbin që kishte ndjekur gjendjen e tij. Ai kërcënonte mjekun me jetë përmes letrave, mesazheve por edhe përballë, duke arritur ti merrte rreth 4 mijë euro. Në 2010, përmendet edhe për tentativën e vrasjes përmes djegies edhe të kushëririt të tij të parë 15-vjeçar. Një akt-ekspertizë e bërë në atë kohë nga Mjekësia Ligjore në Tiranë e shpëtoi nga burgu pasi u konsiderua me problem mendore. Por 4 vite më vonë, i njëjti institut, tregonte në ekspertizë, se 39-vjeçari nuk vuante nga problem të shëndetit mendor, por vetëm sikur kishte tipare të personalitetit narcistik, pa rrezikshmëri shoqërore.
Sibela Abedini që u vetë-hodh nga kati i katërt i një objekti në Kamëz e kishte paralajmëruar Çokun se nëse publikonte pamjet e saj intime do të vetëvritej, por ky i fundit, jo vetëm që i publikoi në rrjetet sociale, por mburrej me miqtë e tij se si ajo i lutej. Familjarët e nënës së një vajze 2-vjeçare, kanë pretenduar se Sibela është vrarë, pasi nuk do ta ndërmerrte kurrë një veprim të tillë.