Gazetare Albina Hoxhaj ka qenë e ftuar në emisionin “Ftesë në Pesë”, ku ka folur për dokumentarin e saj që u publikua në emisionin investigimi “Inside Story”.
Dokumentari “Misteri i sëmundjeve masive”, ka qenë një shtysë për të mësuar më shumë raste të pazbuluara në zonat e thella të Vaut të Dejës, ku shumë persona vuajnë nga autizmi dhe shumë sëmundje të tjera të mbivendosura siç është skizofrenia apo dhe çrregullime të tjera mendore. Këto familje nuk kurojnë familjarët e tyre të sëmurë për shkak të mentalitet që ka kjo zonë, por edhe për shkak të kushteve jo të mira ekonomike. Gazetarja tregoi një rast të një personi i cili vuante nga autizmi dhe ishte tepër i dhunshëm. Ai jeton vetëm me të ëmën, e cila ka treguar se dhunohet nga fëmija e saj dhe se shpesh herë i bie të fikte.
Albina Hoxhaj: Ajo që më ka bërë më shumë përshtypje në të gjitha familjet që kemi trokitur, është se prindërit janë të aftë të bëjnë gjithçka për fëmijët e tyre. Nuk e mendojnë në asnjë moment të vetëm që t’i braktisin. Janë në kushte të vështira ekonomike, me të ardhura të pakta, ai kemp që marrin pothuajse nuk i shërben për asnjë gjë, po flasim për zona të thella. Një rast konkret që i referohemi është një rast me kriza të pakontrollueshme. Në këtë rast nëse nuk e merr atë gjilpërë, ai fëmijë është jashtë kontrollit, përveç dhunës që ushtronte ndaj të ëmës, gjyshes që shpesh herë e kishte dhe frikë, mund të bëhet problem për të tjerët. Pra nënës, Agimes i duhet patjetër që të ketë ato para mënjanë që në këto dy raste, që të paktën ndodh 2 herë në muaj, ti japë këtë shërbim. Trajtimi i intensiv është i domosdoshëm në mënyrë që gjithçka të mos thellohet dhe mos shkojë më tej. Ky djalë është i sëmurë, ka dy diagnoza dhe dhunon të ëmën. E ëma thotë më dhunon, më bie të fikët, por e duroj sepse është evlati im.