Aktor, prezantues, humorist dhe dublues shqiptar. Ervin Bejleri prej më shumë se një dekade është pjesë e ekranit. Ervini filloi t’i jepte formë pasionit të tij që në gjimnaz dhe që atëherë është mes ekranit dhe teatrit.
I ftuar në “Vizioni i Pasdites”, me moderatoren Brikena Prifti, aktori ka rrëfyer hapat e parë të karrierës dhe se si ka ndryshuar gjatë viteve.
Bejleri: E ndiej që zhvillohem dita ditës. Unë e konsideroj punën pikën më të fortë. Disiplina është pjesë e punës, por nganjëherë edhe e anashkalojmë pak disiplinën. Nuk lë pas dore punën, përveç talentit që mund të kesh. Një aktor i beson talentit të tij, por varet sa kënaqet me talentin e tij. E rëndësishme është të shikosh lart dhe duhet të punosh shumë. Të vazhdosh të kërkosh gjithnjë e më shumë te vetja dhe mos kënaqesh kurrë, kjo ëshë punë.
Bejleri tregon se ka qenë i turpshëm në gjimnaz. Por pavarësisht kësaj u ngjit në skenë dhe mori duartrokitjet e para nga publiku.