Mero Baze
Nuk di çfarë inati I ka mbetur në kokë Berishës me 20 Shkurtin, por duket se do ta bëj dhe atë datë qesharake. Dita e cila është simbol për shkak të rrëzimit të Monumentit të Enver Hoxhës pas furtunës që krijoi greva e urisë e studentëve të Universitetit të Tiranës, është beteja simbolike mes Lindjes dhe Perëndimit në Shqipërinë e vitit 1991.
Ajo betejë u shoqërua me tensione të mëdha pasi oficerët dhe studentët e Shkollës së Bashkuar tentuan grusht shteti ndërsa një organizim rrufe I ithtarëve të Enver Hoxhës nisi antimitingjet nga Përmeti deri Tropojë, me në krye Hysni Milloshin dhe u identifikuan si “Vullnetarë të Enverit”.
Për fat vendi nuk shkoi në gjakderdhje përveç disa incidente të vogla, por beteja ishte e qartë. Ithtarët e 20 Shkurtit ishin me SHBA dhe perëndimin, “Vullnetarët e Enverit” ishin kundër SHBA, perëndimit dhe lëvizjes studentore.
Tani Sali Berisha vendosi të thërras protestë për mbrojtjen e tij dhe familjes së tij më 20 Shkurt, pasi shpiku një fabule “bashkimi” të opozitës.
Deri këtu nuk ka ndonjë gjë të re se ia 33 vite për vete dhe familjen e tij e ka përdorur atë parti.
E reja është që vizita e Sekretarit Blinken, mbështetja e tij e fort për rrugën perëndimore të Shqipërisë dhe injorimi I fraksioneve opozitare, I ka çoroditur organizatorët e 20 Shkurtit dhe tani të vetmin mjet mobilizimi kanë sulmin ndaj SHBA dhe Sekretarit Blinken.
Pra I vetmi mekanizëm eksitus që po përdoret për të thirrur militantë rreth më rreth drejt Tiranës, është duke sulmuar Sekretarin Blinken, duke e krahasuar atë me ambasadorin sovjetik në Tiranë në vitet 50 kur pushkatoheshin disidentë, dhe akoma më keq duke e konsideruar vizitën e tij të blerë për të sulmuar opozitën.
Një retorikë kaq të fort kundër SHBA të përdorur si mjetë mobilizimi për një miting, as Hysni Milloshi nuk ka përdorur në vitin 91.
Dhe për ironi të fatit, këta po bëjnë thirrje të mblidhen më 20 Shkurt, ditën e rrëzimit ë Monumentit të Enverit, si “Vullnetarë të Enverit” kundër SHBA, perëndimit dhe kundër atyre që mbështet perëndimi në Shqipëri.
Nuk ka asgjë të keqe pse duan të bëjnë një miting antiamerikan, por pse kanë zgjedhur 20 shkurtin këtë. Me sa duket Berisha dhe historinë e antikomunizimit do ta marr me vete në varr. Nuk e duron dot ta lërë sic ishte.