Bashkëkryetari i komisionit për reformën zgjedhore në radhët e socialistëve, Damian Gjiknuri ishte këtë të premte i ftuar në “Barometri” në Euronews Albania ku tha se qeveritë me koalicione të mëdha “janë të dështuara”.

Duke kundërshtuar me këtë deklaratë Enkelejd Alibeajn i cili ishte gjithashtu i ftuar në emision, Gjiknuri tha se dështimin e koalicioneve partiake nuk e kemi parë vetëm në Shqipëri, por në shumë vende të Europës, pasi sipas tij rëndësi në veprimin me efikasitet të një qeverie ka dhe qëndrueshmëria e saj,e cila është shumë më e vështirë nëse është në koalicion.

“Ndonjëherë koalicionet shërbejnë si ingredientë të rrënimit të qeverisjes, për arsye të parcelizimit. Ky është një problem edhe i vendeve më të zhvilluara se vërtet do bësh kompromise, por bëhet qeverisja jo efikase. Efikasitetin në qeverisje duhet ta shikojmë në qëndrueshmërinë e një qeverisje. Ke vendimmarrje të rëndësishme që nëse parcelizohet për interesa grupimesh politike nuk ecet përpara. Unë do jap shembuj të Evropës perëndimore, që qeverisjet me koalicione të gjera janë të dështuara”,-tha Damian Gjiknuri.