Në emisionin “Sheshi i Dollarit”, në ABC News, Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike të Shqipërisë (AKCESK), Igli Tafa foli për hakerimin e INSTAT.
Gjatë intervistës ai theksoi qëllimi ishte fshirja e sistemit të INSTAT, por sqaroi se deri tani censusi është i sigurt dhe i paprekur.
“Ditën e djeshme në mëngjes u informuam për një sulm kibernetik drejt INSTAT dhe kemi ngritur menjëherë grupin e punës për të parë situatën. Nga analiza e deri tanishme është parë prezencë e indikatorëve apo treguesve që kanë pasur si qëllim fshirjen e sistemeve të INSTAT dhe kjo fshirje konsistonte në punën dhe aktivitetin e brendshëm të INSTAT. Por deri tani s’ka dalë asnjë gjurmë që të kompromentojë censit. Këto të dhëna janë të izoluara në një vend tjetër dhe nga analiza është parë që nuk janë gjetur gjurmë që shkojnë tek censusi. Deri tani censusi quhet i sigurt dhe i paprekur”, ka thënë ai.
Ndër të tjera shtoi se për këtë rast duhet të ketë bashkëpunim të aktorëve të brendshëm dhe atyre ndërkombëtare. Gjithashtu shtoi: “Jo vetëm INSTAT por një mori institucionesh, me ligjin aktual nuk janë pjesë e auditimit dhe kontrollit dhe monitorimit teknik për shkak të barrierës së ligjit që pritet në fund të shkurtit të ndryshojë dhe të shkojë në Parlament dhe të japë fuqinë e duhur për të bërë proceset për të gjitha hapat e nevojshëm parandalues dhe reagues ndaj këtyre institucioneve”.