Dusan Vlahovic dhe Juventusi do të vijojnë bashkëpunimin së paku dhe për dy vite të tjera. Mediat italiane kanë raportuar se sulmuesi dhe drejtuesit e “Zonjës së Vjetër” kanë arritur marrëveshjen për të rinovuar kontratën deri në vitin 2028.
Sulmuesi serb, i cili mbërriti në Torino në janarin e vitit 2022 nga Fiorentina, do të firmosë një kontratë të re. Nga e cila do të përfitojë një pagë më të lartë. Juventusi investoi 80 milionë euro për shërbimet e tij.
Vlahovic ndodhet në formë të mirë dhe në vitin 2024 ka shënuar më shumë se të gjithë në Serie A (9 gola). Sipas marrëveshjes së re, 24-vjeçari, autor i 15 golave këtë sezon në kampionatin italian, do të përfitojë rreth 12 milionë euro në sezon.
Të dyja palët kanë gjetur gjuhën e përbashkët dhe pritet që shumë shpejt të konkretizohet zgjatja e marrëveshjes.