Ish-kryeministri, Sali Berisha i është drejtuar simpatizantëve të mbledhur poshtë banesës së tij, ku ndodhet në arrest shtëpie, në lidhje me samitet që u mbajtën në Tiranë.
Berisha shprehet se dje dhe sot në Tiranë nuk janë mbajtur dy samitit, por thjeshtë dhe vetëm dy takime.
Ish-kryeministri uron që asnjë shqiptar të mos ngatërrojë gjeostrategjinë, lustrën propagandistike me realitetin edhe të këtyre dy takimeve.
Ai thekson se Putini i vogël (Aleksandër Vuçiç), firmosi në Tiranë fitoren e tij, duke shtuar se si Vuçiç ashtu edhe Rama përftitojnë nga kontrabanda ruse.
Berisha:
Përshëndetjet më të përzemërta, mirënjohjen më të pakufishme qëndrestare dhe qëndrestarë, luftëtarë të së vërtetës, lirisë dhe dinjiteti.
Është kënaqësi e veçantë t’u përshëndes ju, të shpreh nderimin dhe mirënjohjen më të madhe për misionin tuaj, mision ndriçues i mendjes dhe zemrave të shqiptarëve
Mision i një parlamenti i të vërtetës, i cili vuan sot nga një prej propagandave më perverse, më mashtruese në Europë.
Mision, i cili përballet me regjimin më të korruptuar në Europë dhe një ndër më të korruptuarit në botë.
Përballet me narkoshtetin e parë dhe të vetëm në Europë.
Përballet po kaq me mafien ndërkombëtare në mbështetje të këtij regjimi.
Por mesazhi më i rëndësishëm që ju i jepni shqiptarëve në Shqipëri dhe kudo që janë, të marrim në dorë fatin tonë.
Shqipërinë e shpëtojnë shqiptarët që e duan.
Shqipërinë e shpëtojnë djem, vajza, burra dhe gra, të cilët vendosin në betejë pa kthim, mosbindje civile të përballen me këtë regjim kalbësirë që është turpi i Shqipërisë, turpi i rajonit, turpi i Europës, turpi i botës.
Miqtë e mi, askush, asnjë njeri, nuk duhet të gabojë, nuk duhet të ngatërrojë gjeopolitikën me realitetin.
Gjeopolitika është një diçka që kushtëzohet nga gjeografia, natyra dhe të tjera.
Kurse realiteti është diçka krejt tjetër.
Thashë këto fjalë për t’u ndalur në këto dy ditët e fundit në Tiranë.
Dje dhe sot, dy takime, po quhen samite, po të tilla ç’është e vërteta nuk ishin, por takime ishin.
Një takim rajonal për Ukrainën dhe një takim i Ballkanit Perëndimor për mekanizmin e rritjes rajonale.
PD ka mbështetur dhe mbështet fuqishëm bashkëpunimin rajonal. Ka mbështetur dhe mbështet fuqishëm ndër të parat Ukrainën, betejën e saj kundër agresionit barbar rus, betejën e saj për Europën, për mbarë popujt e lirë.
PD ka qenë dhe është promotor i proceseve integruese në Europë, në hapësirën euroatlantike dhe kjo ka qenë dhe mbetet shtyllë kryesore.
Por uroj që asnjë shqiptar të mos ngatërrojë gjeostrategjinë, lustrën propagandistike me realitetin edhe të këtyre dy takimeve.
Edhe njëherë, takimi i vendeve të rajonit për Ukrainën do regjistrohet në histori si takimi në të cilin Putini i vogël firmosi në Tiranë fitoren e tij.
Të dashur miq.
Për NATO-n, për BE-në, për vendet e lira në mbarë botën, Ballkani Perëndimor në raport me agresionin barbar rus paraqiste dy probleme serioze.
Së pari, respektimin e sanksioneve të BE dhe NATO-s ndaj Rusisë.
Presidenti Zelenski jashtë çdo dyshimi priste që ky samit të dilte me zotimin për të dënuar shkeljen e sanksioneve, për të respektuar sanksionet kundër agresionit rus.
Por të gjithë ata që pritën një gjë të tillë, u zhgënjyen sepse padroni i Edi Ramës dhe argati i tij, Edi Rama, që janë të dy përfitues të kontrabandës ruse, bllokuan deklaratën.
Dhe jo vetëm që nuk u dënua fakti që Serbia është shndërruar sot më shumë se kurrë në një Rusi të vogël, 15 herë në javë fluturon linja ruse në Beograd.
Jo vetëm që nuk u tha një fjalë, por me heshtjen e plotë, Beogradi mori licencën për të vazhduar thyerjen e sanksioneve sikur ato të mos ishin, të mos përbënin një problem për NATO-n dhe BE-në.
Të dashur miq, cilido që njeh ABC-në e historisë, e di se dikur për Perandorinë Ruse, më vonë për perandorinë komuniste dhe sot për diktatorin e ri, nuk ka asnjë dyshim se dalja në Adriatik mbetet objektivi më kryesor.
Dhe në këtë kontekst, destabilizimi i Ballkanit, në këtë kontekst baza e Nishit, në këtë kontekst infiltrimi në të gjitha anët e politikës dhe jetës në Serbi të rusëve.
Por përsëri, për Putinin e vogël dhe argatin e tij në Tiranë, ndërhyrja ruse, influenca ruse nuk përbën një problem.
Ndaj dhe deklarata nuk kishte asnjë fjalë.
Më thoni ju mua, miku i shquar nga Ukraina, qeveria e të cilit dhe ai vetë edhe këtu, theksoi se Rusia përbën rrezik për Ballanin, si e ndjeu ai veten kur Putini i vogël me argatin e tij në Tiranë, hoqën nga teksti paralajmërimin për keqbërjen e Rusisë në Ballkan.
Për të gjithë botën, agresioni rus, vrasja e qindra mijëra civilëve, nga hordhitë barbare ruse në Ukrainë, sulmi i një kombi vëlla vetëm e vetëm për t’i pushtuar tokat, ka një simbol të urryer aq sa ç’kishte Gjermania e Hitlerit, ka Vladimir Putinin.
Por emri i tij në deklaratë nuk ekzistonte, sepse padroni urdhëronte Edi Ramën dhe Edi Rama lepe-peqe para padronit të tij.