Tare e ka lënë në verë Lacion dhe nuk ka humbur rastin të lëshojë ndonjë akuzë për bardhekaltrit, apo të heqë ndonjë guralec nga këpuca. Drejtuesi shqiptar i bardhekaltërve ka folur për mikrofonët e Radio “Seria A” duke u ndalur në raportin e tij me trajnerin Mauricio Sarri.
”E konsideroj një trajner të mirë, por jashtë fushe është e vështirë të krijosh një raport me të. Jam lodhur shumë për të komunikuar me të. Ishim të gjithë të vetëdijshëm për këtë kufi komunikimi që ai ka, por zgjedhja e bërë tre vjet më parë ka lindur sepse u mbyll epoka e Inzagit dhe ishte e nevojshme të revolucionarizohej dhe të krijohej një projekt i madh e tronditës, i ndryshëm krahasuar me atë që kishim krijuar me Inzagin – ka treguar Tare – Zgjodha unë të ikja nga Roma, në marrëveshje me presidentin. Nuk kam patur kurrë probleme me të, ma ka konfirmuar edhe në një darkë përpara ndeshjes së fundit të kampionatit të kaluar”.