Një ish-shok i burgut i Dani Alves tha në një program televiziv në Spanjë se futbollisti brazilian kishte në plan të ikte në Brazil, nëse do t’i jepej lirimi me kusht. Rreziku i arratisjes ka qenë pikërisht arsyeja që tre kërkesat e parashtruara nga mbrojtja e Alves u refuzuan nga gjykatat spanjole vitin e kaluar.

Në një emision në kanalin ‘Telecinco’, gazetarja Silvia Álamo ka folur me një ish-shok qelie të futbollistit, bisedë kjo që do të transmetohet e plotë sot. “Sapo do t’i jepnin lirimin me kusht, ai do të ikte në Brazil”,- tha personi, identiteti i të cilit nuk u zbulua. “Por këtë a ju tha Dani Alves kështu?”- pyeti gazetarja. “Sigurisht,”- tha burri.

I akuzuar për përdhunimin e një gruaje të re në një klub nate në Barcelonë në fund të vitit 2022, Dani Alves, i cili tashmë ka nisur të dalë në gjyq, kërkoi lirim me kusht në tre raste, duke argumentuar se ai jetonte në qytet dhe se qëllimi ishte të mbronte pafajësinë e tij.

Megjithatë, gjyqtari e mendoi gjithmonë se, për shkak të gjendjes së tij ekonomike, ekzistonte një rrezik i lartë që ai të ikte në Brazil, vend me të cilin Spanja nuk ka një marrëveshje ekstradimi. Prandaj, kërkesat e njëpasnjëshme të parashtruara nga mbrojtja e brazilianit u refuzuan.