Izraeli dhe Hamasi janë duke i vlerësuar kushtet e propozuara për një marrëveshje që ka për qëllim sjelljen e një armëpushimi në luftën katërmujore në Rripin e Gazës në këmbim të lirimit të dhjetëra pengjeve që po mbahen ende atje dhe të lirimit të shumë palestinezëve nga burgjet izraelite.

Por, palët kanë shumë papajtueshmëri për kushtet. Ndërmjetësuesit, Katari, Egjipti dhe Shtetet e Bashkuara, po punojnë për t’i sjellë palët më afër marrëveshjes.

Më poshtë mund të mësoni se çfarë po kërkon secila palë:

Izraeli dëshiron ta rrëzojë Hamasin nga pushteti në Rripin e Gazës.

Hamasi – i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara – dëshiron të vazhdojë ta udhëheqë enklavën bregdetare.

Synimi kryesor i Izraelit është t’ia shkatërrojë kapacitetet ushtarake dhe qeverisëse Hamasit, grupit militant i cili e ka udhëhequr Gazën prej se mori pushtetin në dorë me dhunë në vitin 2007.

Pas sulmit tronditës nga Hamasi më 7 tetor, kur 1.200 njerëz u vranë dhe 250 të tjerë u morën peng, sipas autoriteteve izraelite, Izraeli është zotuar se do të sigurohet që ky grup nuk do të jetë më kurrë kërcënim për qytetarët e tij.

Izraeli thotë gjithashtu se dëshiron të ketë kontroll të sigurisë mbi Gazën për kohë të papërcaktuar pasi të ketë përfunduar lufta.

Hamasi kërkon lirimin e qindra militantëve të lartë palestinezë nga burgjet izraelite.

Izraeli dëshiron t’i mbajë prapa grilave militantët në fjalë.

Mijëra të burgosur palestinezë po mbahen nga Izraeli nën akuza të lehta edhe të rënda – apo në disa raste edhe pa akuza fare – në lidhje me konfliktin e kamotshëm.

Izraeli është pajtuar të bëjë këmbim për pengjet në të kaluar. Një marrëveshje e tillë më 2011 bëri që të lirohej ushtari izraelit, Gilad Schalit, nga Hamasi në këmbim të lirimit të 1.027 të burgosurve palestinezë.

Në mesin e të liruarve ishte edhe Yehya Sinwar, lideri i tanishëm i Hamasit në Gazë, i cili shihet si truri i sulmit të 7 tetorit, i cili e nxiti këtë luftë.

Hamasi kërkon lirimin e të burgosurve dhe pritet të kërkojë liri edhe për militantët e burgosur të cilët qëndrojnë mbrapa disa prej sulmeve më vdekjeprurëse kundër izraelitëve.

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe partnerët e ekstremit të djathtë nga të cilët ai varet për të qëndruar në pushtet, e kundërshtojnë një marrëveshje ku përfshihet lirimi i militantëve të lartë.

Ata ka gjasa ta hedhin poshtë edhe kërkesën për lirimin e një numri kaq të madh të të burgosurve.

Fati i të burgosurve është tejet emocional. Derisa Izraeli i cilëson ata si terroristë, palestinezët i vlerësojnë ata si heronj që e luftojnë pushtimin izraelit. Praktikisht, çdo palestinez e ka një mik, apo të afërm që është, apo ka qenë i burgosur.

Izraeli dëshiron ta rifillojë luftën pas lirimit të pengjeve.

Hamasi dëshiron një zotim paraprak se lufta do të përfundojë nëse lirohen të gjitha pengjet.

Netanyahu thotë se Izraeli do të vazhdojë të luftojë derisa ta arrijë një “fitore të plotë” kundër Hamasit.

Izraeli dëshiron t’i mbajë forcat e veta në tokën e Gazës, në mënyrë që ato të vazhdojnë ta rrënojnë rrjetin e madh të tuneleve nëntokësore të grupit militant, t’i shkatërrojnë raketahedhësit e këtij grupi dhe t’i vrasin militantët, për ta arritur synimin e shkatërrimit të kapaciteteve ushtarake të Hamasit.

Lufta ka shkaktuar tashmë rrënim të madh, duke i bërë disa pjesë të Gazës të pabanueshme, duke e zhvendosur shumicën dërrmuese të popullsisë dhe duke nxitur një katastrofë humanitare, pasi një çerek e popullsisë vuan nga uria.

Hamasi dëshiron që Izraeli të zotohet për një armëpushim të përhershëm, para se të fillojë bisedimet për lirimin e të gjitha pengjeve pjesë-pjesë.