Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe ka ironizuar aktet e dhunës së deputetëve të Rithemelimit dhe të grupit ‘Bardhi’ gjatë seancës plenare të ditës së djeshme (5 shkurt) në Kuvend.
Duke ripublikuar videon e Report Tv të momentit kur deputeti Gazment Bardhi hyn në Kuvend, Braçe ka ironizuar veprimin e tij të hedhjes së palltos duke e krahasuar me trajnerin e Juventusit, Massimiliano Allegri i cili bën të njëjtat veprime kur ndeshja nuk shkon në favor të skuadrës së tij.
“KA ARDH ALLEGRI NE PARLAMENT; ESHTE MASKU SI KAZI BARTHI! E hedh pallton po njesoj, kthilth ndaj lojtareve po njesoj; I vetmi ndryshim eshte qe KAZI e do SALIHUN me shume se sa ALLEGRI donte AGNELLIN”- shkruan Braçe krahas videos së postuar në Instagram.
Seanca e ditës së djeshme zgjati rreth 15 minuta dhe u ndërpre pasi deputetët e grupit Bardhi dhe Berisha hynë në sallën e Kuvendit, madje në një moment hodhën edhe një fletore të rregullores drejtuar kryeministrit. Mbledhja e rradhës e Kuvendit pritet të jetë më 8 shkurt, kur do të miratohet marrëveshja me Italinë për emigrantët si dhe qeveria do të pranojë disa propozime të opozitës për zgjerimin e përfituesve të amnistisë penale.