Studentët e Universitetit të Korçës do të kenë mbështetje me shërbime me tarifa të reduktuara ose falas, me Kartën e Studentit.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjete sociale momente nga marrëveshja për Kartën e Studentit për Universitetin e Korçës, e firmos nga ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu dhe Kryetari i Bashkisë Korçë, Sotiraq Filo, teksa shkroi se “ky është një lajm i mirë për studentët e Universitetit të Korçës”.

Rama tha se, Kartën e Studentit do të garantojë tarifa të reduktuara dhe akses falas në shërbime të ndryshme në qytet.

“Karta e Studentit bëhet realitet me nënshkrimin e marrëveshjes mes Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe Bashkisë së Korçës, që do të garantojë tarifa të reduktuara dhe akses falas në shërbime të ndryshme në qytet”, u shpreh Rama.

Karta e Studentit sjell favore të shumëfishta edhe për studentët e Universitetit të Korçës, pas Universitetit të Tiranës dhe të Durrësit që tashmë e aplikojnë këtë kartë.

Studentët e Universitetit “F.S. Noli” në Korçë, do të përfitojnë përmes Kartës së Studentit, bileta me gjysmë çmimi për shfaqjet në teatrin “Andon Zako Çajupi” dhe hyrje falas në eventet sportive të organizuara nga klubi “Skënderbeu”. Po ashtu, atyre do t’u ofrohet me tarifa të reduktuara vizitat në Muzeun Oriental “Bratko”, Muzeun e Fotografiaë “Gjon Mili”, Muzeun Kombëtar të Artit Mesjetar, Galerinë e Arteve Digjitale në Korçë, etj.

Studentët gjithashtu do të përjashtohen nga tarifat e pastrimit, ndriçimit dhe gjelbërimit, nëse marrin iniciativën për të hapur një biznes në vitin 2024.