Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu zhvilloi një vizitë në kantierin e Spitalit Bashkiak të Mirditës, ku pa nga afër ecurinë e punimeve, të cilat parashikohen të përfundojnë brenda pak javësh.
Spitali i Mirditës u dëmtua nga tërmeti i vitit 2019 dhe në shtator të vitit 2022 iu nënshtrua rikonstruksionit, në kuadër të rindërtimit. Megjithatë, shërbimi shëndetësor në spital për qytetarët nuk është ndalur në asnjë moment gjatë kësaj periudhe rikonstruksioni.
Gjatë vizitës së saj ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Albana Koçiu u shpreh se rikonstruksioni i kësaj godine do të sjellë kushte dinjitoze dhe do ta përmirësojë punën akoma më shumë, duke e ngritur në një nivel më të lartë.
“Do t’ju ftoja që të vijojmë ta mbajmë ritmin e mirë. Ndërkohë të vijojmë të shërbejmë me profesionalizëm dhe përkushtim dhe devotshmëri për të gjithë qytetarët, pacientët që trokasin në spitalin bashkiak”, u shpreh ministrja Koçiu.
Në këtë spital ku ofrojnë shërbim 10 mjekë dhe 52 infermierë, kryhen rreth 60 konsulta ditore në shërbimet e Urgjencës dhe në poliklinikën e specialiteteve rreth 35 konsulta ditore.
Spitali Bashkiak Mirditë ofron shërbimet Patologji e përgjithshme, Kirurgji të përgjithshme, Reanimacion, Pediatri, Maternitet, Poliklinika, Urgjenca, Laboratori Klinik-Biokimik, Shërbimi Imazherisë dhe Farmaci.