Në Konferencën e Sigurisë që u mbajt gjatë fundjavës në München, presidenti i Ukrainës, Vollodimir Zelenski, kërkoi ndihmë urgjente nga shtetet perëndimore. Zelenski tha se diktatori rus Vlladimir Putin nuk do të ndalet nëse ia arrin të mposht Ukrainën. Pas Ukrainës Putin do të sulmojë vendet baltike, Poloninë etj., tha Zelenski.

Armë, armë, armë — kjo ishte dëshira e Zelenskit dhe e disa analistëve perëndimorë që morën pjesë në Konferencën e Sigurisë në München. Gjermania dhe Franca nënshkruan gjatë fundjavës marrëveshje të sigurisë me Kievin. Por këto marrëveshje nuk kanë efekt të menjëhershëm. Kancelari gjerman Scholz dhe presidenti francez Macron i bën Zelenskit premtime afatgjata.

Më konkrete ishte kryeministrja e Danimarkës. Mette Frederiksen tha se vendi i saj e ka ndërmend që krejt rezervat e municionit artilerik t’ia dhurojë Ukrainës. “Kur i pyesim ukrainasit, ata tani na lusin t’u japim municion, artileri. Nga ana daneze kemi vendosur t’ua dhurojmë tërë artilerinë që kemi”, tha Frederiksen në Konferencën e Sigurisë në München.

Frederiksen shtoi se në Europë ka mjaft municion. “Në rezervat europiane ka ende municion. Nuk bëhet fjalë për prodhim, sepse ne kemi armë, kemi municion, kemi mbrojtje kundërarjrore, të cilat momentalisht nuk duhet t’i përdorim dhe të cilat do të duhej t’ia jepnim Ukrainës”. Frederiksen tha se pa marrë parasysh se çfarë do të ndodhë në SHBA, “ne duhet t’ia dalim të vetëmbrohemi dhe të mbrojmë Ukrainën”.