Boris Nadezhdin kishte nisur një fushatë elektorale të minutave të fundit për të marrë pjesë në zgjedhjet presidenciale të marsit në Rusi, të cilat pritet të fitohen serish nga Vladimir Putin duke pasur parasysh kapjen e pushteteve në vend pas më shumë se dy dekadash në fuqi.
Sfiduesi Nadezhdin, ka qenë një kritik si i Vladimir Putin dhe i luftës së tij në Ukraine, ndërsa thotë tashmë se është ndaluar të kandidojë në zgjedhjet e muajit që vjen.
Ky nuk është raportimi i parë për shtypje të opozicionit nga Putin, teksa ndalimi fjalës e opinionit të lirë është ashpërsuar ndjeshëm që prej nisjes së sulmit ndaj Ukrainës dy vjet më parë.
Nadezhdin tha se do të apelojë në gjykatën e Lartë masën e ndalimit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, të cilët kishin argumentuar se kishin gjetur gabime në firmat e dorëzuara nga Nadezhdin dhe aleatët në mbështetje të kandidaturës së tij.
Zyrtarët thonin se disa prej tyre i përkisnin njerëzve të vdekur.
Si kandidat i nominuar nga një pati politike, Nadezhdin i nevojiteshin 100,000 firma nga të paktën 40 rajone të vendit për të kandiduar. Por zyrtarët thanë se kishin gjetur “parregullsi” rreth 9,000 firma, që është tre herë më shumë se marzhi i lejuar i gabimit dhe solli argumentin për skualifikimin e tij.
“Kam mbledhur më shumë se 200,000 firma nëpër Rusi. Këtë e kemi bërë hapur dhe ndershmërisht, të gjithë i kanë parë radhët e njerëzve në selinë e partisë tonë. Nuk do të heq dorë nga pjesëmarrja në zgjedhjet presidenciale 2024,” tha ai.
Nadezhdin ka bërë fushatë me kritikat ndaj luftës në Ukrainë dhe humbjeve të jetëve të ushtarëve, ndërsa kritikët e tij theksojnë faktin se në vitet 1990 ai ka qenë ndihmësi i Sergei Kiriyenko, kryeministri rus nën presidentin Boris Jeltsin, që tashmë është shefi stafit të Putin.
Nadezhdin ka qenë gjithashtu i lidhur me Boris Nemstov, një kritik i vjetër i Putin, që thuhet se është eliminuar prej presidentit në 2015.
Kremlini ka bërë të heshtin disa figura opozitare, mes të cilave Alexei Navalny, i burgosur në një koloni penale rreth 1500 km në veri të Moskës.
Gjithashtu dhe Igor Girkin, një ultranacionalist që kishte deklaruar se do të sfidonte Putin ne zgjedhje ka marrë një zgjatje të paraburgimit, pas ndalimit me akuza “ekstremizmi” kur deklaroi se Putin “duhet t’ia kalojë pushtetin dikujt vërtet të aftë dhe të përgjegjshëm”, sipas mediave. /TheIndependent/