Me rastin e 9−vjetorit të krijimit të Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, u mbollën 1500 fidanë të rinj në grykërderdhjen e lumit Vjosa, Park Kombëtar.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro e pranishme në aktivitet, vlerësoi përfshirjen sistematike të shkollave në mbjellje dhe në evente mjedisore, sidomos gjatë vitit të pyjeve.

“Pjesa më e mirë është që në këto punë keni përfshirë rregullisht shkollat. Ne e dimë që nuk do të pyllëzojmë gjithë Shqipërinë brenda një viti, por ideja është tek angazhimi i nxënësve të shkollave dhe komunitetit për pyllëzimin, tha Kumbaro.

Ministrja Kumbaro gjithashtu përmendi rëndësinë e pyllëzimit të kësaj zone pranë Vjosës për të garantuar mbrojtje nga përmbytjet e mundshme përmes një zgjidhjeje të qëndrueshme.

“Është shumë e rëndësishme që të gjejmë ekuilibrin e duhur mes zonave të mbrojtura, ruajtjes së natyrës dhe potencialit ekonomik që u ofrohet njerëzve rreth këtyre zonave. Mbrojtjet lumore me beton na shpëtojnë nga përmbytjet por nuk janë gjëja më e mirë. Zgjidhjet natyrore janë afatgjata, por janë zgjidhja më e mirë. Prandaj mbjellja e pemëve në brigjet e Vjosës është zgjidhje afatgjatë”, vazhdoi ministrja Kumbaro, duke vlerësuar edhe modelin e bashkinë e Vlorës.

Në aktivitetin ku u mbollën 1000 fidanë plepash, 400 akacie dhe 100 pisha të buta nga Administrata Rajonale e Zonave të Mbrojtura Vlorë, bashkia e Vlorës, kryetari i Bashkisë së Vlorës Ermal Dredha u shpreh se ky aktivitet pyllëzimi është vazhdim i planeve të mbarështimit të nisura qysh herët nga kjo bashki.

“Para një muaji mbollëm gati 600 fidanë të rinj me plepa, ndërsa sot do të kemi 1500 fidanë të rinj. Qëllimi është të ruajmë ambientin, sidomos kur flasim për lumin Vjosë ndjehemi krenar për këtë lum dhe do e mbajmë siç është lumi i fundit i egër në Europë”, u shpreh Dredha.

Aktivitetet e pyllëzimit vijojnë në të gjithë vendin nën kornizën e Vitit të Pyjeve, ku në përputhje me planet e menaxhimit, përparësi marrin zonat e mbrojtura, sipërfaqet e dëmtuara nga zjarret, erozioni apo dëmtimet e ndryshme.