Marash Kumbulla është në garë me kohën për të luajtur sa më shumë paar grumbullimeve të Kombëtares shqiptare për miqësoret e marsit, por sidomos para Euro 2024 ku dëshiron të jetë pjesë e kuqezinjve. Por për momentin për mbrojtësin është e vështirë të gjejë hapësira te Sasuolo, edhe pse kishte shkuar te kjo skuadër për t’u aktivizuar më shumë.

Këtë e pranon dhe trajneri Alesio Dionisi, i cili duke bërë analizën para ndeshjes me Empolin, ka folur para mediave edhe për mbrojtësin shqiptar i cili iu bashkua ekipit në fundin e merkatos së dimrit.

“Ai ka arritur regjimin e plotë. Në javën e kaluar ka bërë gjithçka mirë, këtë javë do ta marr në konsideratë. Qartësisht, nuk luan prej 10 muajsh, ndaj ndërthurja e një lojtari i cili është jashtë prej kaq shumë kohësh, duhet kontrolluar.

Do të duhet të gradohet minutazhi, por kur të jetë nevoja, do të tregojë cilësitë që ka. Ai është shfaqur i gatshëm që në momentin që ka ardhur këtu, edhe pse nuk ka pasur minuta në dispozicion, ndaj unë kam besim te ai”, tha Dionisi në konferencën për mediat.