Tiranë, 5 shkurt- Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, ka zhvilluar një takim me pedagogë të Departamentit të Gjuhësisë në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë të Universitetit të Tiranës, për të diskutuar mbi strategjinë dhe masat e reja për rritjen e cilësisë dhe interesit akademik në fushën e gjuhësisë si dhe bashkëpunimin me këtë departament për trajnimin e mësuesve.

Ministrja Manastirliu tha se vëmendja e Ministrisë së Arsimit është të Programi Kombëtar për Zhvillimin Profesional të Mësuesve dhe për këtë nevojitet edhe kontributi i Departamentit të Gjuhësisë.

“Në 2024 ne kemi vendosur që të trajnojmë 4000 mësues në Shkenca, Gjuhë Shqipe dhe aftësi digjitale, pra TIK. Platforma e trajnimit do të jetë platforma online, por edhe tradicionale dhe sigurisht me mbështetjen tuaj, shpresoj shumë që të kemi sa më shumë rezultate përgjatë këtij viti, për të parë pastaj se ku i kemi edhe ato pika, të cilat duhet t’i forcojmë dhe t’i fuqizojmë në vazhdim. Do të doja që ju të ishit pjesë e trajnimeve të mësuesve në shkollat tona, të jeni pjesë e platformës sonë të trajnimeve se bashku me ASCAP-in, që është Agjencia e Sigurimin të Cilësisë të Arsimit Paraunivesitar, që i kam kërkuar që të gjitha programet që i përkasin trajnimeve më kredite, të mundet të bëhen nga qendrat e universiteteve tona”, tha Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu.

Në thelb të kësaj nisme të ndërmarrë nga Ministria e Arsimit dhe Sportit është edhe ndryshimi i kornizës së kualifikimit për mësuesit, sidomos ata që janë në fillimet e karrierës.

“Ne duam që të ndryshojmë kornizën e kualifikimit për të mundësuar që me shumë trajnime të kryhen në 10-vjeçarin e parë të punës së mësuesit. Unë besoj që, edhe ju jeni në te njëjtin mendim me mua, që, nuk mjafton një kredit në vit që të aftësohesh njësoj sa, sikurse përshembull sot është një mësues me 25 vite punë në sistem”, iu drejtua pedagogëve të Departamentit të Gjuhësisë Ministrja, Manastirliu.

Kjo, pritet të ndikojë pozitivisht në përgatitjen dhe performancën e mësuesve, duke iu dhënë atyre mjetet e nevojshme për të përmirësuar cilësinë dhe metodat e mësimdhënies.

Ministrja shtoi gjithashtu se kërkohet bashkëpunim me këtë edhe përsa i përket përditësimit të kurrikulës dhe kornizës kurrikulare me qëllim modernizimin dhe përmirësimin e teksteve dhe materialeve mësimore. Ky proces do të shoqërohet me një vlerësim të thelluar dhe përditësim të teksteve aktuale për të pasqyruar praktikat më të mira dhe njohuritë më të fundit.

Pedagogët e Departamentit të Gjuhësisë vlerësuan takimin dhe shtruan mundësitë që vijnë me zbatimin e kurrikulës së re, veçanërisht në aspektin e trajnimit që synon të zhvillojë kompetencat e studentëve.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit ritheksoi se rritja e pagave për mësuesit, e cila pritet të fillojë nga korriku i këtij viti, synon të rrisë interesin për profesionin e mësuesit dhe të inkurajojë të rinjtë të zgjedhin fushat prioritare të arsimit, duke krijuar një brez të ri mësuesish të përgatitur mirë dhe të motivuar që do të kontribuojnë në rritjen e cilësisë së arsimit në vend.