Murat Klloboçishti është një ish-emigrant në Itali, i cili ka punuar prej vitesh në shtetin fqinj, por tashmë jeton në Shqipëri. Ai është ndër emigrantët e parë të marsit ‘91. Marrëveshjen e arritur për njohjen e pensioneve e sheh si një çlirim shpirtëror dhe një drejtësi që u vendos mes dy vendeve. I ftuar në emisionin “E-ZONE” në Vizion Plus, Klloboçishti tha se tashmë do të përfitojnë pension edhe për 10 vjet kontribute që ka derdhur në shtetin italian.
“Ishte një çlirim shpirtëror dhe emocional jo vetëm për mua, por për të gjithë emigrantët sidomos ata të brezit të parë, siç jam unë, i Mars ‘91 me anije. Sipas statistikave të shtetit italian deri në 1995 kemi qenë 40 mijë emigrantë. Dha një vlerësim dhe barazi sociale me shtetasit italianë. U vu një drejtësi sociale që ishte mohuar deri më tani si dhe fut parimin e barazisë, pra një shtetas shqiptarë është i barabartë me një italian në aspektin e pensionit të pleqërisë”, u shpreh Klloboçishti në “E-ZONE”.
Murat Klloboçishti do të jetë një nga rreth 4 mijë përfituesit e parë që do të aplikojë për pension. Madje në bazë edhe ligjit italian ai do të përfitojë pensionin edhe pse nuk e ka mbushur moshën 67 vjeç.
“Kam 10 vite me dokumente në Itali dhe 34 në Shqipëri. Ligji italian, që njihet si “rregulli 103”, thotë se nëse një individ ka bërë 42 vite pune mund të dalë në pension edhe pse nuk e ka mbushur moshën. Unë me bashkimin e viteve në Shqipëri dhe Itali kam 44 vite pune dhe jam përfitues automatikisht I pensionit në Itali”, tha ai.
Nëse kjo marrëveshje nuk do të ishte miratuar, komuniteti shqiptarë i emigrantëve në Itali thotë se do t’i ishin drejtuar gjykatës ndërkombëtare të të drejtave të njeriut për të kërkuar të drejtën e mohuar. /vizionplus.tv