Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste u mblodh sot për të diskutuar axhendën e javës së re në Kuvend.
Në fjalën drejtuar deputetëve të mazhorancës, Çuçi tha se në seancën e ditës së enjtes do të kalojnë për votim dy marrëveshje dhe dy projektligje. Së pari është marrëveshja në lidhje me programin e shkëmbimit të studimeve universitare në Evropën Qendrore dhe së dyti protokolli me Italinë për emigrantët. Çuçi tha se pritet zbardhja e plotë e vendimit të Gjykatës Kushtetuese këto ditë të para të javës, që i hap më pas rrugë për çuarjen në seancë.
Dy projektligje të rëndësishme janë gjithashtu amnistia penale dhe ai për Zonat e Mbrojtura të cilat pritet të miratohen në seancën e kësaj jave.
“Projektligjin për Amnistinë Penale, Komisioni për Çështjet Ligjore parashikon për ta kaluar të martën. Do të rakordojmë dhe me opozitën për të bërë 84 votat e nevojshne për miratim”, deklaroi Çuçi.
Kreu i Grupit Parlamentar të PS kërkoi gjithashtu prezencë të deputetëve në seancë në mënyrë që projektligjet dhe marrëveshjet e parashikuara në rendin e ditës të miratohen.