Ted Qamo nga shkolla e mesme “Petro Nini Luarasi” u shpall fitues absolut i vendit të parë i Olimpiadës Kombëtare të Matematikës për gjithë Shqipërinë. Ka qenë vetë Ministrja e Arsimit dhe Sportit, e cila ka surprizuar fituesin, kur në një moment emocionues ka hyrë në klasë, dhe ia ka dhënë personalisht lajmin e fitores. Ted Qamo nxënës i klasës së 12-të, arriti të grumbullonte 46 pikë, tregues i një aftësie të jashtëzakonshme në fushën e matematikës.

Në vendin e dytë, u shpall fitues Sirio Dafa, nxënës i klasës së 12-të në shkollën “Ernest Koliqi”, me 35 pikë. Ndërsa në vendin e tretë, dy nxënës u shpallën fitues, Jamarber Rushitaj nga shkolla “Ali Demi” në Vlorë, i klasës 10-të, me 31 pikë, dhe Irjan Kuliçi nga shkolla Turgut Ozal, me 30 pikë.

Kjo dëshmon nivelin e lartë të dijes dhe angazhimit të nxënësve në fushën e matematikës e cila u tregua edhe nga përqindja të lartë të interesit, për të marrë pjesë në Olimpiadën e Matematikës për klasat e 9-ta dhe të mesme. Në total, në fazën e parë të olimpiadave si për klasat e 9-ta dhe për ato të mesme, morën pjesë 34140 nxënës, ndërsa vetëm 9432 prej tyre kaluan në fazën e dytë, tregues i konkurrencës dhe përkushtimit të fortë të nxënësve për të arritur sukses në këto garë të rëndësishme.

Në fazën e tretë, në Olimpiadën e Matematikës për klasat e 9-ta morën pjesë 12 nxënës, ndërsa në Olimpiadën e Matematikës për shkollat e mesme morën pjesë 32 nxënës.