Vizita e sekretarit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken, në Tiranë, po ndiqet me vëmendje nga dhjetëra gazetarë shqiptarë, por edhe të huaj që kanë mbërritur në vendin tonë.

Mediat ndërkombëtare po ndjekin me interes agjendën e Blinken, që për herë të parë vjen në Shqipëri.

Blinken mbërriti në Shqipëri për të riafirmuar marrëdhëniet me një partner kyç në Ballkan dhe një aleat në mbështetjen e luftës së Ukrainës kundër pushtimit në shkallë të plotë të Rusisë, nis raportin e saj prestigjiozja “Washington Post”.

“SHBA ka vlerësuar lidershipin e Shqipërisë dhe rolin e saj në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara si një anëtare jo e përhershme. Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe ka caktuar rregullisht njësi të vogla të ushtrisë në misionet paqeruajtëse ndërkombëtare dhe operacionet e NATO-s”.

Sipas “Washington Post”, edhe tensionet mes Kosovës dhe Serbisë mund të trajtohen gjatë kësaj vizite.

Ndërsa “Fox News” thekson se ka qenë një periudhë e vështirë për Ballkanin Perëndimor dhe shumë vëzhgues në rajon besojnë se rajoni është edhe “një kuti e zezë gati për t’u ndezur”.

Duke folur për vizitën historike të sekretarit Amerikan të Shtetit, një diplomat i lartë me njohuri eksperte për rajonin tha për Fox News Digital se probabiliteti i konfliktit në Ballkanin Perëndimor këtë vit është shumë i lartë. Presidenti rus Vladimir Putin dhe ai serb Aleksandar Vuçiç kanë në pikëpyetje Kosovën, Bosnjën, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut. Shtetet e Bashkuara me shumë gjasa e dinë këtë, pretendon diplomati dhe kjo shpjegon pse ka grumbullime të aseteve ushtarake dhe shitjen e pajisjeve ushtarake për Kosovën.

“Abc News” përshkruan edhe takimin e Blinken me disa afgan të strehuar në Shqipëri.

“Blinken do të njohë ndihmën e Shqipërisë pasi talebanët morën pushtetin në Afganistan në gusht 2021 pasi trupat e SHBA-së dhe NATO-s u tërhoqën nga vendi. Shqipëria ishte e para që strehoi rreth 3200 afganë të arratisur përpara se të zhvendoseshin për vendosjen përfundimtare në Shtetet e Bashkuara”, shkruan kjo media.