Ministri i Drejtësisë në Britaninë e Madhe, Alex Chalk ka shprehur shqetësimin se si burgjet angleze janë mbushur me shtetas të huaj. Kostoja vjetore thotë ai për një të burgosur është 47.000 stërlina në vit. Shqetësimin e lidh me numrin e lartë të shqiptarëve në burgjet angleze dhe marrëveshjen për transferimin e 200 të burgosurve shqiptarë që vuajnë mbi 4 vite burg.

Ministri Chalk në intervistën e tij për “Daily Telegraph” ka pranuar nisjen e transferimit të burgosurve shqiptarë nga burgjet angleze drejt atyre shqiptare.
“I pari i transferuar përmes kësaj skeme ishte një trafikant shumë serioz në trafikun e drogës i dënuar me 17 vite burg”, ka deklaruar ministri Chalk.

Këtë transferim të parë e raportoi Top Channel të Dielën. Bëhet fjalë për një shqiptar të dënuar nga një gjykatë e Londrës, për trafik kokaine në vitin 2017 me 17 vite burg. Ai prej disa javësh, po vuan vitet e mbetura në një burg të sigurisë së lartë në Jug-Lindje të Shqipërisë. Për llogari të një prej tre familjeve kriminale në Elbasan, ai drejtonte në Londër një organizatë kriminale e përshirë në trafik kokaine me vlerë 150 milion stërlina. Deri më tani kanë shprehur interes të transferohen në Shqipëri 80 shqiptarë prej 1330 që vuajnë dënime në burgjet angleze.