Mirupafshim Paris. Kylian Mbappe ka vendosur të mos rinovojë më me klubin e Paris Saint Germain dhe për këtë ka njoftuar zyrtarisht edhe presidentin Nasser Al Khelaifi.

Lajmi ishte në ajër prej ditësh, por më në fund ka ardhur edhe konfirmimi zyrtar, me Mbappe që i ka bërë të ditur presidentit se do të largohet dhe nuk do të ushtrojë të drejtën e rinovimit automatik të kontratës edhe për një tjetër vit.

Në këtë mënyrë, pritet që sulmuesi francez të vendosë për klubin e ri, teksa në Francë dhe jo vetëm, janë të bindur se do të jetë Reali i Madridit.

Los Blancos kanë disa vite që provojnë ta marrin në “Santiago Bernabeu” yllin francez dhe duket se kushtet do të piqen këtë verë me Mbappe që do të jetë lojtar i lirë dhe mund të vendosë vetë për të ardhmen e tij.

Sulmuesi 25-vjeçar do të mbyllë kështu eksperiencën e tij te PSG-ja pas 7 sezonesh dhe për të bërë realitet ëndrrën e transferimit te Reali i Madridit, ka hequr dorë nga një bouns besnikërie prej 80 milionë eurosh dhe nga një pagë dyfish më e lartë që i ofronte klubi francez.