Këngëtarja Taylor Swift ka dhuruar 100,000 dollarë për familjen e një gruaje të vrarë gjatë festimeve të Super Bowl të Kansas City Chiefs. Lisa Lopez-Galvan, një DJ e radios vendase, u vra nga të shtënat të cilat lanë më shumë se 20 persona të plagosur. Tre të dyshuar, duke përfshirë dy fëmijë, janë arrestuar pas sulmit të së mërkurës. Swift ndau ngushëllimet e saj me familjen e zonjës Lopez-Galvan përmes një mesazhi në një faqe GoFundMe.

“Ju dërgoj ngushëllimet e mia më të përzemërta për humbjen tuaj”, ka shkruar këngëtarja.

Dy donacionet e saj të veçanta prej 50,000 dollarësh e kanë ndihmuar familjen të mbledhë më shumë se 190,000 dollarë duke tejkaluar objektivin e tyre prej 75,000 dollarësh. Duke shkruar në faqe, familja e zonjës Lopez-Galvan tha se 44-vjeçarja po festonte në paradën e fitores në Super Bowl të Chiefs kur ajo u “vra pa arsye”. Ajo ka lënë pas dy fëmijë dhe bashkëshortin e saj prej 22 vitesh.

“Ajo ishte një nënë, grua, bijë, motër, teze, kushërirë dhe shoqe e mrekullueshme për shumë njerëz. Ne kërkojmë që ju të vazhdoni ta mbani familjen e saj në lutjet tuaja, ndërsa ne vuajmë humbjen e jetës së saj.”

Të shtënat masive u shpalosën mes turmave të mëdha në Kansas City dhe dukej se rrodhën nga një debat mes disa spektatorëve, thanë autoritetet. Shefi i policisë Stacey Graves tha se 22 persona të plagosur nga të shtënat ishin të moshave tetë deri 47 vjeç dhe gjysma ishin nën moshën 16 vjeç.