Në kuadër të javës për mbrojtjen e viktimave të dhunës nga krimi, ministri i Drejtësisë Ulsi Manja ishte këtë të shtunë në Lezhë.

Manja i shoqëruar nga nënkryetari i bashkisë Lezhë, Ermal Pacaj dhe përfaqësuesi i UNICEF në Shqipëri, Murat Sahin përcollën mesazhin për të qenë bashkë në krah të këtyre kauzave, teksa morën pjesë dhe në inaugurimin e një pikture murale të realizuar me përfshirjen e të rinjve.

“Dy janë shtyllat kryesore se si mund t’i përgjigjemi problemeve që hasin viktimat e krimit. Në radhë të parë është që të gjitha institucionet të punojmë bashkërisht në mënyrë institucionale për të trajtuar rastet; dhe e dyta, është që po bashkërisht i gjithë komuniteti, shoqëri civile etj., të bëhen bashkë për t’i mbrojtur viktimat e krimit”.

Lezha ishte etapa e parë e fushatës sensibilizuese në mbrojtje të viktimave të krimit. Kjo fushatë do të vijojë me një sërë aktivitetesh edhe në qytete të tjera të Shqipërisë, ndërsa kjo iniciative po mbështetet nga UNICEF dhe qendra komunitare “Sot për të Ardhmen”, tha Murat Sahin.

Po ashtu, qeveria shqiptare ka një strategji të miratuar për mbrojtjen e viktimave të krimit, e cila do të përkthehet në një plan veprimi të qartë. Sipas strategjisë, të gjitha institucionet e interesuara duhet të bashkërendojnë punën për identifikimin, parandalimin, por edhe për trajtimin dhe riintegrimin e viktimave të dhunës.