Nga Ana Gjidiaj, Presidente e organizatës EDYN në Shqipëri dhe anëtare e Institutit Veliera

Këshilli Amerikan i Liderëve të Rinj Politikë (ACYPL) ka qenë prej dhjetëra vitesh një nga organizatat më të mëdha që mbështet aktivistët politikë nga e gjithë bota në rritjen e kapaciteteve të tyre përmes programeve të shkëmbimit. Ndaj për mua ishte një privilegj dhe një mundësi e jashtëzakonshme të isha një nga 8 përfaqësuesit e delegacionit të Rrjetit Rinor për Demokraci në Europë (EDYN) dhe të përfaqësoja Shqipërinë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Gjatë 8 ditëve intensive, patëm rastin të njihemi me panoramën e plotë të funksionimit të pushtetit ekzekutiv dhe legjislativ të SHBA-së, si në nivel shtetëror ashtu edhe në atë federal, duke zhvilluar disa takime me përfaqësues biznesesh, lobistë të pushtetit ekzekutiv dhe legjislativ, influencues politikash të zhvillimit social dhe ekonomik, demokratë dhe republikanë, ekspertë të fushatave zgjedhore, zyrtarë dhe ish-zyrtarë të shtetit, duke e bërë këtë përvojë të larmishme dhe unike në të njëjtën kohë.

Takimet filluan në Maryland, ku ne vizituam Annapolis me mikpritjen e ngrohtë të delegatit z. Jon Cardin dhe këshilltarit të tij z. Matthew Mark Horn, të cilët na shoqëruan gjatë gjithë ditës për t’u takuar me Zëvendës Sekretarin e Shtetit z. Michael Lore, Presidentin e Senatit të Maryland z. Bill Ferguson, udhëheqësin e shumicës. Z. David Moon, ish-ambasadori amerikan në Rumani z. Jim Rosapepe dhe shumë delegatë demokratë dhe republikanë, të cilët ndanë përvojën e tyre me ne.

Gjatë dy ditëve në vijim, takimet u përqendruan në Uashington DC për të zhvilluar takime në Departamentin e Shtetit të SHBA me znj. Kelly McCaleb, Shefe e Diplomacisë Publike për Evropën dhe Euroazinë dhe znj. Allie Carter Olson, Shefe e Çështjeve Publike për Mjedisin dhe Çështjet e Shkencës; në Komitetin Kombëtar Demokratik të SHBA-së për të zhvilluar një takim me Drejtorin Ekzekutiv z.Sam Cornale, në Capitol Hill Club për t’u takuar me znj. Marie Royce, ish-zëvendës sekretare e shtetit amerikan për arsimin dhe kulturën, takime me eksperte dhe keshillues në fushata elektorale si z. Alex Braun, diskutim me shumë përfaqësues të biznesit dhe advokues të politikave, takime me miqtë tanë nga Instituti Kombëtar Demokratik (NDI) dhe anëtarë të Bordit të ACYPL.

Kujtimi më i bukur i këtij udhëtimi do të jetë gjithmonë vizita në shtetin e Oregonit, një shtet me një histori unike dhe njerëz të mrekullueshëm. Gjatë qëndrimit tim në Oregon, vizitat ishin edhe më të larmishme sepse patëm mundësinë të eksploronim çdo detaj dhe të shikonim nga afër funksionimin e institucioneve, juridiksionit, bizneseve, bashkive, policisë, Organizatave Joqeveritare, Sigurisë Kombëtare, Kolegjeve Komunitare, duke përmendur takime me: Z Tobias (Arkëtar i Shtetit të Oregonit); Sekretaren dhe Zëvendës Sekretaren e Shtetit, e nderuara znj. LaVonne Griffin-Valade & Znj. Cheryl Myers; Presidenti i Senatit të OregonZ. Rob Wagner, Sekretari i Senatit z. Obie Rutledge dhe Senatorja e Shtetit Sara Gelser Bloutin për përshëndetjen e tyre speciale gjatë seancës plenare në Senat; E nderuare Chanpone Sinlapasal (Gjyqtare e Gjykatës së Qarkut Multnomah); Z. Steve Callaway (Kryetar i qytetit Hillsboro); Znj. Mari Watanabe (Anëtare e Bordit, Kolegji Komunitar Portland); Znj. Sophorn Cheang (Drejtore Ekzekutive, Business Oregon); Znj. Stephanie A. Shark (FBI, Divizioni i Portlandit); Z. Mike Frome (Zëvendës Drejtor i Policisë së Portlandit) dhe znj. Natasha Haunsperger (oficere e Policisë së Portlandit); Z. Valdez Bravo (ish Nënkryetar i Partisë Demokratike të Oregonit) dhe shumë e shumë të tjerë

Kjo eksperiencë do të mbetet një nga më të bukurat që kam përjetuar, duke më dhënë një këndvështrim të ri si aktiviste në politikë. Jam e bindur se kjo përvojë ka shërbyer si një stimul pozitiv për të gjithë ne, jo vetëm personalisht dhe profesionalisht, por edhe në marrëdhëniet mes vendeve tona dhe SHBA-së. Jam edhe më e lumtur që pata mundësinë të përfaqësoj Shqipërinë në këtë delegacion dhe u bëra zëri i shumë e shumë të rinjve shqiptarë në adresimin e problemeve tona reale. Dialogu i hapur dhe shkëmbimi i ideve gjatë udhëtimit na bënë të mundur vlerësimin e sfidave dhe mundësive për bashkëpunim në të ardhmen, duke thelluar marrëdhëniet tona dhe duke krijuar hapësira të reja për ndërveprim dhe zhvillim të përbashkët.