Nga Preç Zogaj/

Askujt në Shqipëri nuk i bën përshtypje që Presidenti i Francës, kancelari gjerman, kryeministri anglez apo ministrat e jashtëm të vendeve të BE-së të vinë në Tiranë dhe të mos takohen me parti të opozitës. Përshtypje bën kur ndonjëri e prish ndonjëherë këtë rregull, vizitat shtetërore zhvillohen brenda harkut të institucioneve shtetërore.

Kurse, SHBA-të na kanë mësuar ndryshe. Për shkak të marrëdhënieve speciale me Shqipërinë dhe duke qenë sponsori kryesor i demokracisë në shkallë botërore, zyrtarët amerikanë, si rregull, kanë gjetur vazhdimisht kohën dhe mundësinë ta përfshijnë opozitën në agjenden e takimeve të tyre, ta dëgjojnë, ta ndihmojnë me mesazhe, këshilla. E gjithë kjo pa krijuar kurrë asnjë problem me qeveritë.

Sepse në raport me prioritetet e politikës amerikane në vend dhe në rajon, qeveritë e Shqipërisë dhe opozitat e saj perëndimore kanë qenë në një lloj bashkeqeverisje pa ndarë pushtet. Pikërisht se na kanë mësuar me këtë “rregull” të fuqisë së madhe, shmangia e plotë e çdo takimi me opozitarë të qeverisë nga Sekretari i Shtetit Blinken bëri përshtypje dhe ngriti pyetjen “pse”. Pyetje e cila vazhdon të rrijë pezull edhe për shkak të mungesës së një përgjigjeje nga vetë Sekretari Blinken.

Personalisht, e kam paraparë dhe madje përligjur mospëpërfshirjen e subjekteve opozitare në agjendën e takimeve të tij. Jo vetëm për shkak kohës së shkurtër si vizitë e parë në Shqipëri, por mbi të gjitha për shkak të problemeve të mëdha të spektrit të minuar opozitar, me një çeshtje gjyqësore në proces për përkatësinë e logos së Partisë Demokratike.

Kjo parti është sot një trini pjesësh në marrëdhënie të ftohta e deri në konflikte të egra me njëra-tjetrën. Numerikisht, grupimi më i madh i votuesëve të saj në zgjedhjet e vitit 2021 është grupi i atyre që rrinë menjanë në pritje të zhvillimeve. Pastaj vjen grupi i Rithemelimit të drejtuar nga Berisha dhe në vend të tretë, PD-ja zyrtare e drejtuar nga Basha.

Edhe po të duash, ata të grupit të madh s’ke si ti takosh sepse nuk kanë përfaqësim. Kreun e Rithemelimit, zotin Berisha, SHBA e kanë shpallur non gratta dhe nuk e takojnë. Madje kanë deklaruar disa herë se nuk bashkëpunojnë me subjekte politike, që drejtohen nga të shpallur të padëshërueshëm prej tyre.

Partia Demokratike zyrtare që ka si busull euroatlantizmin dhe mbështetjen pa kushte të SPAK e drejtësië së re, është një parti e zvogëluar në një shifër për shkak të largimeve dhe shqyrjeve të vazhdueshme. Është e vërtetë se duke mos takuar partinë që i bën duanë SHBA-ve, Blinken pohoi veç të tjerash se siglat, historia apo retorikat nuk mjaftojnë. Për t’u konsideruar nga fuqia e madhe, PD duhet të rritet.

Thënë këto, ndërsa ishte e pritshme pra që Blinken të mos takohej me partitë opozitare, e papritur dhe pse jo zhgënjyese ishte përgjigja që ai i dha pyetjes së drejtpërdrejtë të gazetarit Muhamet Veliu për këtë çeshtje, kur tha se kishte marrë çfarë i duhej nga takimet që kishte bërë. Një përgjigje që praktikisht e bëri opozitën dhe opozitarizmin të paqenë. Së paku në kontekstin e vizitës. Në një kohë kur përtej problemeve të partive opozitare, Shqipëria ka një vokacion të fuqishëm opozitar.

Sipas sondazhit të fundit të Report Tv, mbi gjashtëdhjetë përqind e qytetarëve shqiptarë janë të pakënaqur me qeverinë e Ramës. Shumica dërrmuese e tyre janë opozitarë të artikuluar.

Në agorën kombëtare të debateve dhe diskutimeve politike ka qindra e mijëra syresh që promovojnë vlerat e demokracisë perendimore dhe mirënjohjen ndaj SHBA-ve për të mirat e mëdha që i kanë bërë Shqipërisë dhe kombit shqiptar, që luftojnë kundër korrupsionit dhe dukurive të keqeverisjes së Tiranës, të cilat i gjejmë të pasqyruara me realizëm në raportet vjetore të Departamentit të Shtetit.

Opozita dhe opozitarët shqiptarë që përpiqen për keto vlera, por edhe gjithë shoqëria, kanë nevojë dhe mirëpresin mesazhe që njohin dhe inkurajojnë opozitarizmin. Në të vërtetë, janë këta pikësëpari që e mbajnë vendin në kursin e euroatlantizmit për bindje. Ndërkohë që jo rrallë drejtuesit politikë e kanë retorikë; janë konjukturalistë që bëjnë para e pasuri të paligjshme me flamurin e SHBA-së në dorë.

Vlerësimet e larta të zotit Blinken për kryministrin Rama mirëpriten, pa dyshim, nga shqiptarët e shumtë që e mbështesin dhe e votojnë. Nga pikëpamja ime, këto vlerësime nuk kanë pse krijojnë ndonjë shqetësim te pjesa tjetër e shoqërisë, te kundërshtarët e qeverisë. Numri dy i vendit me të dashur e më të fuqishëm na nderon me viziten e tij dhe lavdëron mikpritësin e tij, që në këtë rast na përfaqëson të gjithëve.

Ka mirësjellje dhe kortezi në këto shprehje. Le të ketë edhe empati personale. Departamenti që drejton zoti Blinken flet në shumë forma dhe aula për korrupsionin e lartë në degën e ekzekutivit të Shqipërisë. Por vlerësimet e larta për kryeministrin në kushtet e mungesës së çdo mesazhi për opozitën dhe opozitarimin krijojnë shbalancime të reja, të dëmshme, në një realitet politik tashmë mjaft të shbalancuar të krijuar nga qeverisja autoritariste dhe klienteliste e kryeministrit Rama në një anë dhe kriza e opozitës në anën tjetër.

Ekspozimi shproporcinal i mbështetjes për dikë që ka pushtet të pakufizuar e thekson më shumë vakumin e injorimit të opozitës. Sidoqoftë, të gjithë pjesët e opozitës duhet të reflektojnë thellë për vetminë e tyre në nivel të lidershipit në raport me Ushingtonin, Britaninë e Madhe, dhe me vendet e BE-së në përgjithësi. Asnjë subjekt dhe asnjë drejtues nuk ka të ardhme jashtë të qenit dyerhapur në Uashington dhe në Bruksel. Këtu edhe vendimmarrja e duhur që duhet të çojë në hapjen e dyerve dhe në marrjen e statusit të partnerit të ngushtë për çdo subjekt politik dhe çdo drejtues të tyre. Opozita fitimtare ndaj qeverisë mund të jetë vetëm euroatllantike në kuptimin që jo vetëm të thotë se është e tillë, por edhe të njihet e mbështetet nga partnerët si e tillë.

Përkufizimi i demokracisë kërkon një opozitë të fortë e të suksesshme. Nisur nga kjo maksimë, sado që reformimi dhe forcimi i opozitës në Shqipëri është detyrë e vetë partive opozitare, SHBA dhe vendet mike nuk mund të jenë indiferente apo të qëndrojnë larg krizës së tyre. Në të kundërtën pasojat do të ishin me kosto brenda vendit. Edhe në rajon për rolin që Shqipëria ka.