Nga Hermes Kafexhiu 

A nuk duhet të ketë njeriu një gramë kujtese ? A nuk duhen ndërtuar raportet me besueshmërinë kur ti ecën drejt disa bindjeve, pavarësisht pragmatizmit politik. Se llogjikisht duhet të ketë dhe një ndarje mes pragmatizmit politikë dhe dinjitetit në politikë.

Unë jam ende i ri për të folur me sigurinë e kujtesës për ngjarjet politike në këto 30 vite, por Gazment Bardhi është vetëm 6 vite më i madh se unë. Është shumë pranë gjeneratës time dhe në një formë apo në një tjetër unë dhe shumë të rinjë të tjerë e kemi atë në vëmendjen e momentit.

Nga ana tjetër duhet kujtuar me shumë forcë se Gazment Bardhi ka mbaruar drejtësi. Ka qenë Ministër Drejtësie dhe mbi të gjitha Gazmend Bardhi ka mbuluar çështjet e drejtësisë në funksionet e tij politiko-partiake.

Analiza do duhet të ishte shumë e gjatë për profilin e Gazment Bardhit nga vëmendja e një qytetari dhe shumë më shumë nga vëmendja e një gazetari në raport me paradoksin që ai ka nisur të përfaqësojë.

Gjykimi ndaj atyre që po bëjnë shumë vite në politikë nuk ka asnjë vlerë. Oferta e tyre ka kohë që lëviz në vëmendjen e publikut, është rrëzuar, është ringritur, është sulmuar, është kritikuar dhe mbi të gjitha nuk është votuar dhe është votuar.

Kurse në rastin e Bardhit dhe brezit të tij është ndryshe. Bardhi është një ofertë e re politike, quhet një i ri në politikë.

Ai erdhi si njeri i Lulzim Bashës dhe i renditur në vijën e njerëzve që gjatë drejtimit të Bashës nuk u pa asnjëherë publikisht me Berishën. Bardhi ishte ai që mbështeti Lulzim Bashën në vendimin e përjashtimit të Berishës. Bardhi firmosi përjashtimin e Berishës. Bardhi ishte nga të parët që tha se familja e Berishës është e implikuar në afera. Bardhi është ai që ka theksuar më shumë se Berisha është “non grata”. Bardhi thekson herë pas here aleancën me partnerin strategjik. Bardhi mbron publikisht punën e SPAK dhe të Altin Dumanit për drejtësinë e re. Bardhi ishte ai që e quajti “hall personal” çështjen e Berishës.

E mbi të gjitha Bardhi është ky që sot u gjend publikisht në protestën e njerëzve të Berishës. Ka vetëm dy ditë që erdhi nga SHBA, pikërisht nga vendi që ndalon ardhjen e Berishës dhe e ka quajtur minues të demokracisë në Shqipëri. Një Bardhi që ecën mes këtij paradoksi duke u gjendur poshtë banesës së njeriut që SPAK-un e quan SKAP dhe sulmon vazhdimisht Altin Dumanin.

Tani kë Bardhi të besojmë dhe mbi të gjitha kë Bardhi të votojmë ?