Rumania nuk është gati për një luftë të mundshme me Rusinë dhe duhet të përgatitet, tha kreu i Forcave të Armatosura të këtij vend, anëtar i NATO-s. “Po, popullsia e Rumanisë, si dhe e gjithë popullsia e Bashkimit Evropian, Evropa, duhet të shqetësohet”, tha në një intervistë për REL Europa Liberă România Gheorghiță Vlad, njeriu i parë i mbrojtjes së Rumanisë, siç raporton Politico.
“Nëse (Putini) fiton në Ukrainë, objektivi kryesor do të jetë Republika e Moldavisë. Por do të jemi dëshmitarë të tensionit në Ballkanin Perëndimor”, shtoi gjenerali rumun. “Jam më se i bindur se politikat e Presidentit Putin do të përshkallëzohen në të ardhmen e afërt.” Vlad avokoi për futjen e trajnimit vullnetar ushtarak për burrat dhe gratë deri në moshën 35 vjeç. Gjenerali përmendi heqjen e shërbimit të detyrueshëm ushtarak në Rumani si arsye për gatishmërinë e dobët të ushtrisë.
Vlad bëri thirrje gjithashtu për reforma ligjore për të forcuar mbrojtjen e Rumanisë kundër dronëve rusë. Mbeturinat nga një prej dronëve të Kremlinit ranë në Rumani shtatorin e kaluar dhe droni nuk mund të rrëzohej sepse ligji rumun nuk e lejon këtë, tha gjenerali. “Ne nuk kishim sisteme luftarake,” shtoi ai. Thirrja e tij për veprim i bën jehonë paralajmërimeve të ngjashme të kohëve të fundit nga udhëheqës të tjerë ushtarakë perëndimorë dhe të mbrojtjes, duke përfshirë shefin e ushtrisë britanike, gjeneralin Patrick Sanders. Javën e kaluar ai u bëri thirrje autoriteteve britanike që të “mobilizojnë kombin” për t’u përgatitur për një luftë të mundshme me Rusinë.