Anëtarët e Parlamentit Evropian votuan për një rezolutë për zgjedhjet në Serbi, duke bërë thirrje për një hetim të pavarur ndërkombëtar të të gjitha parregullsive të raportuara në zgjedhjet parlamentare, provinciale dhe lokale të dhjetorit. Me theks të veçantë në ato nga Beogradi.

Për rezolutën votuan 307 deputetë, 228 ishin kundër dhe 19 abstenuan. Raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë, Vladimir Bilçik, para votimit deklaroi se zgjedhjet në Serbi të mbajtura më 17 dhjetor 2023 janë shënuar me parregullsi të shumta. “Është thelbësore që institucionet serbe të hetojnë dhe të nxjerrin para drejtësisë të gjithë ata që janë përgjegjës për çfarëdo aktiviteti kriminal gjatë zgjedhjeve. Është po aq e rëndësishme që Serbia të zbatojë pa vonesë të gjitha rekomandimet e OSBE-së dhe misionit të ODIHR-it”, theksoi Bilçik.

Krahas hetimit ndërkombëtar, në propozimin përfundimtar të Rezolutës për zgjedhjet në Serbi, PE i bën thirrje Komisionit Evropian që menjëherë të fillojë shqyrtimin e fondeve që i janë dhënë Qeverisë së Serbisë në kuadër të Instrumentit të Ndihmës së Para-Anëtarësimit.

Këshillohet gjithashtu që të pezullohet financimi nëse autoritetet serbe nuk janë të gatshme të zbatojnë rekomandimet kryesore në lidhje me zgjedhjet ose nëse një hetim ndërkombëtar tregon se ata ishin të përfshirë drejtpërdrejt në mashtrime zgjedhore.

Parlamenti Evropian tregon se disa akuza, duke përfshirë ato për migrimin e organizuar të votuesve në nivel lokal, tejkalojnë gjetjet e raportit të Zyrës së OSBE-së për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR) dhe shton se ai mbështet dërgimin e shpejtë të një Misioni ad hoc faktmbledhës në Serbi.