Nga Mero Baze

Ka dy momente nga reagimi i “Foltores” për vizitën e Sekretarit Blinken që në fakt janë të dyja qesharake. E para është ai gëzimi i papërshkrueshëm kur u tha se Sekretari Blinken nuk do të vizitojë Shqipërinë, pasi u dha lajmi nga Top Channel se do ta vizitojë.

Aty u “rreshtuan” të gjitha argumentet përse ai nuk mund të vinte në Shqipëri. Thelbi ishte se po të vinte ai, ai do të legalizonte pushtetin e Edi Ramës të cilin “Foltorja” do ta rrëzojë më 20 Shkurt, pra katër ditë pasi të iki Sekretari Blinken. Dhe aty sikur të ishin në mendjen e Sekretarit Blinken, çdo frustrim të tyre e kishin kthyer në argument të Sekretarit Blinken, cdo sukses të Shqipërisë e kishin kthyer në krim dhe mbi të gjitha ḑo përpjekje të SHBA për të ruajtur aleancën me Shqipërinë e kishin përkthyer si aleancë me Edi Ramën.

Tani që Sekretari Blinken e konfirmoi zyrtarisht vizitën, merreni shkrimin e zëdhënësit të Foltores dhe hiqjani atë frazën “sikur Blinken të vizitonte Tiranën” dhe e kuptoni se çfarë nderi i kanë bërë Edi Ramës me dorën e tyre.Por deri tek gëzimi që Sekretari Blinken nuk do vizitoj Shqipërinë, ka një kuptim se në fund të fundit parti antiamerikane janë.

Më qesharak është momenti i dytë pasi vizita u konfirmua. Zëdhënësit e tjerë të “Foltores” që shfaqen në ekrane, po përpiqen të thonë se Sekretari Blinken, po vjen për situatën në Ukrainë, për sigurinë në rajon etj. Pra jo për ato që thoshte zëdhënësi i “Foltores” para konfirmimit.

Aq të gëzuar duken kur e thonë këtë të dytën, sa të mbushet mendja se këta e përfytyrojnë Sekretarin Blinken, “një xhandar ndërkombëtar” që vjen këtu me pranga në duar dhe kërkon të arrestoj kë të gjej nga opozita rrugëve.

Gëzimi që ai nuk vjen për “punë të brendshme”, është e vetmja kënaqësi që kanë shpikur pas hidhërimit të konfirmimit të ftesës.

Natyrisht Sekretari Blinken nuk vjen axhenda ditore politike. Ndoshta as nuk e di që “Foltorja” e Berishës ka lënë më 20 Shkurt një miting që si gjithë 200 mitingjet e tjerë do përmbys Edi Ramën.

Por ai vjen në një vend aleat për ti shprehur mbështetjen e SHBA dhe për qëndrimet që ka mbajtur ndaj sigurisë në rajon, konfliktit në Ukrainë dhe ruajtjen e kursit perëndimor të Shqipërisë.

Gëzimi i parë është i arsyeshëm se kur thuhet që Sekretari i Shtetit nuk do të vizitojë Shqipërinë, pas një lajmi se do ta vizitonte. Ka kuptim të gëzohesh mos ta kesh nëpër këmbë një “armik” të rëndësishëm.

Por ky gëzimi i dytë që me pak fjalë përkthehet “shyqyr që nuk vjen për ne”, i kalon kufijtë e të qenit qesharak. Dhe tragjikomikja është se në fakt se duke ardhur për sigurinë rajonale, për mbështetjen që Shqipëria i ka dhënë Perëndimit në konfliktet rajonale vjen dhe për “Foltoren” që është në një linjë me gjithë rrymat që forcojnë praninë e Rusisë në rajon, dhe partitë që po përpiqen të minojnë standardet e demokracisë në rajon.

Se vetëm për këta “Foltores” sonë nuk ka pse të vij se këta nuk kanë më nevojë për ndonjë armik të rëndësishëm për tu shpartalluar. Armiku më i rëndësishëm i tyre është Sali Berisha dhe ai e ka bërë punën e vet deri në fund.

Askush nuk do ta bënte kaq qesharake opozitën në një vend, sa e bëri ai.. Dhe mbi të gjitha askush nuk do ta bënte kaq antiamerikane, kaq antievropiane dhe kaq banale. Vetëm ai mund ta bënte.

Por për këtë Sekretari i Shtetit nuk është i gëzuar. Ai nuk ka qëllim të shkatërroj opozitën por ta forcojë atë. Për këtë arsye ua ka hequr qafe Sali Berishën duke e shpallur “non grata”.

Problemi është se një pjesë e opozitës ka mbetur peng i një njeriu dhe ai nuk ka ardhur të liroj pengje.