Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi të premten se ka ngritur aktakuzë kundër 12 zyrtarëve policorë, të cilët dyshohen për ryshfet.

Disa prej tyre dyshohet për marrje të ryshfetit, ndërsa pjesa tjetër për dhënie të ryshfetit, njoftoi Prokuroria.

“Të pandehurit T.D, M.S, V.L, A.A, V.M, A.S, A.C, M.J, akuzohen se kanë kryer veprën penale ‘marrja e ryshfetit’, ndërsa të pandehurit B.K, A.A, S.S dhe D.I, akuzohen se kanë kryer veprën penale ‘dhënia e ryshfetit”, thuhet në njoftim.

Ata dyshohet për kryerjen e veprës penale “individualisht dhe në grup” gjatë një periudhe njëvjeçare nga viti 20121 deri më 2022 në pikëkalimin kufitar Hani i Elezit, si dhe gjatë patrullimit si pjesë të njësisë policore kundër kontrabandës në pjesën veriore dhe në pjesë të tjera të vendit.

“Në mënyrë të drejtpërdrejtë, ata kanë pranuar para në shuma të ndryshme, me qëllim që të mos e kryejnë veprimin zyrtar të cilin ata duhej ta kryenin, si mbikëqyrjen e rregullt doganore dhe kontrollin e rregullt kufitar”, thuhet në njoftim.