Gazetari Rid Berisha ka komentuar takimin e fundit Kurti Vuçiç në Këshillin e Sigurimit sa i përket çështjes së dinarit dhe mbylljes së strukturave paralele serbe në Kosovë. I ftuar në Breaking, Berisha u shpreh se Kurti e ka pasur më të lehtë mbrojtjen përballë Vuçiç, aq më tepër kur vetë ka qenë i persekutuar dhe i burgosur politik nga regjimi kriminal i Millosheviçit.
Kurti u mbështet deri diku për përballjen kundër Serbisë, megjithatë sipas Berishës, nëse e sheh në vija të holla Kosova realisht u bë arsye që të mblidhej Këshilli i Sigurimit. “Atje miqtë tanë, QUINT-i dhe aleatët më të rëndësishëm qëndistarë të shtetit të Kosovës, të ekzistencës tonë, sot u bën bashkë me armiqtë tanë për të qortuar Kosovën që të shtyjë zbatimin e vendimit për dinarin”- tha Berisha, duke shtuar se edhe reagimi i Vuçiç në serbisht për të justifikuar vendimin e Bankës Qëndrore të Kosovës është i vonë, pasi çështja u ndërkombëtarizua.
Pjesë nga biseda:
Përballja Kurti-Vuçiç në Këshillin e Sigurimit, kush sfidoi tjetrin?
Berisha: Kushdo që shkon në Këshillin e Sigurimit në Kombet e Bashkuara, edhe një shqiptar me njohuri mesatare do të sfidonte këdo person nga Serbia atje për një arsye themelore, të vetme, historike; shqiptarët kanë qenë gjatë nën pushtimin tiran të tiranisë nga Graçanini dhe këtej, duke kulmuar me kryekriminelin Millosheviç, pjesë e pushtetit të së cilit ka qenë edhe vetë Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Kushdo që hynë në google dhe shfleton pak material se çfarë ka bërë Serbia në Kosovë, lehtësisht mund të formulojë 1-5 fjali për të gozhduar Vuçiç. Ndaj, besoj se kryeministri Kurti e ka pasur më të lehtë mbrojtjen, aq më tepër kur vetë ka qenë i persekutuar dhe i burgosur politik nga po ai regjim kriminal. Në pikëpamje të qëllimit për të cilin është mbledhur Këshilli i Sigurimit, mendoj që Kosova nga pikëpamja ndërkombëtare u qortua nga vetë aleatët për herë të parë. Aleatët e qortuan Kosovën, duke u bërë bashkë me armiqtë e tyre siç janë Kina dhe Rusia, apo edhe vende të tjera të cilat nuk vlen të përmenden për shkak se nuk kanë impakt në marrëdhëniet ndërkombëtare sa i përket zhvillimeve politike.
Për herë të parë çështja e dinarit serb që e aktualizoi Kosova e bëri bashkë politikën e jashtme ndërkombëtare të Perëndimit dhe Lindjes të cilat e qortuan atë për vendimin. Pjesa tjetër e përballjes së Kosovës në Këshillin e Sigurimit me Serbinë është puna më e lehtë për çdo politikan kosovar sepse krimet serbe në Kosovë janë ende të freskëta.
Kosova ende i përkujton mbi 400 masakra që Millosheviçit në vend.
Paraqitja e Kurtit është pritur shumë mirë edhe në mediet opozitare. Shumë pak kritika ka pasur për performancën e zotit Kurti, por ka pasur rezerva nga opozita, sidomos PDK-ja.
Berisha: Jo, ne kemi qenë tepër kritik për arsyen themelore se pse është ftuar Kosova nga komanda e Kombeve të Bashkuara. Ka një rëndësi themelore se si na shikon komuniteti ndërkombëtar. Në Kosovë ende kanë etje uri njerëzit, kanë s’kamje heroizmi, fukarallëk patriotizmi. Këdo që shohin jashtë duke u përballur me Serbinë, meqënse nuk jemi përballur si duhet në vitet ‘98- ’99 sepse kemi pasur një përqindje të vogël të njerëzve që kanë luftuar dhe një përqindje të madhe të atyre që kanë qëndruar në male, në muajt e përkujtimit të mbi 400 masakrave ka etje për heroizëm dhe s’kamje e fukarallëk për patriotizëm dhe kushdo që do të përballej me Serbinë sot në rrethana lirie duke e sharë e fyer, ja përmbush një pjesë të zbrazëtisë. Por për të parë realisht politikën se ç’po ndodhë është se Kosova u bë arsye që të mblidhej Këshilli i Sigurimit. Atje miqtë tanë, QUINT-i dhe aleatët më të rëndësishëm qëndistarë të shtetit të Kosovës, të ekzistencës tonë, sot u bën bashkë me armiqtë tanë për të qortuar Kosovën që të shtyjë zbatimin e vendimit për dinarin.
Zoti Kurti foli edhe serbisht ku ka justifikuar vendimin e Bankës Qëndrore të Kosovës.
Berisha: Vonë është, Kosova tashmë u ndërkombëtarizua.