Frika e Polonisë, se rrezikon të sulmohet nga Rusia, thuajse u bë realitet. Presidenti Vladimir Putin u zgjua, mëngjesin e së mërkurës, duke zgjedhur dhunën.

Rusia lëshoi një ndër sulmet më masive në drejtim të Ukrainës. Gjatë kësaj vale bombardimesh, një raketë e Rusisë udhëtoi në drejtim të Polonisë duke shkuar shumë pranë kufirit të vendit anëtar të NATO-s, për t’u kthyer 180 gradë duke rënë në rajonin perëndimor të Lvivit në Ukrainë.

Kjo ngjalli reagimin e furishëm të Varshavës që ngriti në ajër 3 avionë lufte F-16, për t’u përballur me raketën. Më herët, ministri polak i mbrojtjes lëshoi alarmin se Rusia mund të sulmonte vendin e tij, ndërsa kërkoi që ky shtet i NATO-s të bëhet gati për çdo skenar duke fuqizuar ushtrinë dhe mbrojtjen.

“Nëse nuk ndalojmë Putinin në Ukrainë, presidenti rus mund të sulmojë më pas ndonjë vend të NATO-s dhe Shtetet e Bashkuara do të përfshiheshin në një luftë, si angazhim për mbrojtjen e çdo centimetri të aleancës”. Këtë e thotë një zëdhënës i Pentagonit Amerikan, lidhur me situatën në konfliktin mes Kievit dhe Moskës, ndërsa përmend urgjencën për zhbllokimin e fondeve në ndihmë të Ukrainës.

Sakaq në Kiev, por edhe zona të tjera, është kthyer frika nga bombat e Putinit. Autoritetet njoftuan se Rusia lëshoi 44 raketa dhe 20 dronë në Ukrainë, me ushtrinë që shkatërroi shumicën e tyre. Presidenti Zelensky bën me dije se disa persona humbën jetën, ndërsa ka shumë që kanë mbetur nën rrënoja. Kryeqyteti Kiev ka mbetur pa energji elektrike në pjesën më të madhe të tij, pasi raketat balistike shënjestruan dhe linjat e tensionit të lartë.